Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar Masakrën e Mejës.
Sot u bënë 26 vjet nga ajo masakër, plagët e së cilës Osmani tha se “janë ende të hapura”.
“Sot, me zemër të rënduar, e kujtojmë Masakrën e Mejës, njërën nga plagët më të thella të Kosovës. 376 jetë të pafajshme u morën mizorisht nga regjimi gjenocidal i Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë. Plagët që la pas kjo tragjedi janë ende të hapura, por dhimbja dhe vendosmëria jonë, janë bashkuar për të mos lejuar që e vërteta të harrohet”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Osmani tha se “çdo person i vrarë e çdo person i zhdukur me dhunë gjatë luftës, çdo ëndërr e ndërprerë dhunshëm, është betim i yni për drejtësi”.
“Në këtë tokë të shenjtë të dhimbjes, mbjellim shpresën për një të ardhme me më shumë drejtësi dhe më shumë dinjitet. Kujtimi për martirët e Mejës do të jetojë përjetë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe sakrificës së tyre!”.