Osmani për Kadarenë: Kosova është në zi sepse humbi mbështetësin e të drejtës së popullit për të jetuar i lirë - Gazeta Express
string(109) "osmani-per-kadarene-kosova-eshte-ne-zi-sepse-humbi-mbeshtetesin-e-te-drejtes-se-popullit-per-te-jetuar-i-lire"

Lajme

Gazeta Express

01/07/2024 10:43

Osmani për Kadarenë: Kosova është në zi sepse humbi mbështetësin e të drejtës së popullit për të jetuar i lirë

Lajme

Gazeta Express

01/07/2024 10:43

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu dhe shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën ia kushtoi dashurisë ndaj tokës.

“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë. Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet.”

Lexo Edhe:

Osmani ka thënë se Kadare ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, ndërsa ka shtuar se ai e mbrojti të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur.

“Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore.”

Presidentja ka thënë se sot populli i Kosovës është në zi sepse humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar dhe mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit të Kosovës për të jetuar i lirë.

“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”.”

“Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht. Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit. Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare!”