Ylli i Arsenalit, Mesut Ozil, u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve të futbollit që të përqendrohen në përkujdesjen për veten dhe për ata përreth vetes gjatë krizës së koronavirusit.
Deri më sot, 13 mars, rreth 800 raste me koronavirus janë identifikuar me koronavirus në Britani të Madhe, përfshirë këtu trajnerin e Topçinjve Mikel Artetan. Ndërsa, Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se janë rreth 150 mijë të infektuar dhe mbi 5600 të vdekur, transmeton Gazeta Express.
Si shkak i kësaj përhapjeje të virusit Covid-19, edhe bota e futbollit është goditur dhe janë shtyrë ndeshjet e pothuajse të gjitha ligave vendore, përfshirë këtu edhe Premierligën ku luan Ozili.
Përderisa për momentin janë shtyrë vetëm dy xhirot e ardhshme të Premierligës, ende nuk dihet se kur do të kthehet sezoni me siguri.
Në këtë kohë, Ozili e ka theksuar në llogarinë e tij në rrjete sociale se tani futbolli nuk është më prioritar dhe se ka gjëra më të rëndësishme.
“Futbolli nuk ka rëndësi tani. Shëndeti dhe mirëqenia e të gjithëve janë shumë më të rëndësishme sesa gjithçka tjetër. Djema, merrini të gjitha masat parandaluese që mundeni – kini kujdes dhe konsideratë për të gjithë, veçanërisht ata që janë më shumë të rrezikuar”, ka thënë Ozili.
“Përderisa ne po e kalojmë këtë problem global, ne nuk duhet të harrojmë t’u themi faleminderit mjekët, infermierët dhe shkencëtarët kudo në botë, të cilët po ndihmojnë t’i shmangim përhapjes edhe më të madhe të këtij virusi. Ata do të jenë nën presion të madh gjatë orëve të ardhshme dhe e meritojnë respektin dhe mirënjohjen tonë”. /Gazeta Express/