Në një zjarr që shpërtheu të martën në një restorant në qytetin Liaoyang, në provincën verilindore kineze Liaoning, kanë humbur jetën 22 persona dhe tre të tjerë janë plagosur. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka kërkuar hetim urgjent mbi shkakun e zjarrit.
Zjarri nisi në orën 12:15 me orën lokale në një restorant që ndodhet në një lagje banimi të qytetit.
Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar, por pamjet nga vendngjarja tregojnë flakë të mëdha që dilnin nga dritaret dhe dyert e një ndërtese trekatëshe. Zjarri u përhap gjithashtu dhe përfshiu dhjetëra automjete të parkuara përreth.
Video:
22 people dead and 3 injured after a #fire broke out at a restaurant near a resettlement housing complex in Liaoyang, #Liaoning Province. The investigation is ongoing. #China pic.twitter.com/AfFQ2zPS12
— Shanghai Daily (@shanghaidaily) April 29, 2025
“Në terren ishin angazhuar 22 mjete zjarrfikëse dhe 85 zjarrfikës”, deklaroi Hao Peng, sekretar i komitetit të Partisë Komuniste të Kinës për provincën Liaoning.
Ai shtoi se operacionet e shpëtimit në vendngjarje kanë përfunduar dhe se të gjithë personat janë evakuuar.
Ky është incidenti i fundit në një sërë zjarresh dhe shpërthimesh serioze që kanë ndodhur në Kinë vitet e fundit. Në prill, 20 persona humbën jetën në një zjarr në një azil për të moshuar në provincën veriore Hebei.
Vitit të kaluar ndodhën të paktën dy shpërthime serioze në zona banimi për shkak të rrjedhjes së gazit. /Telegrafi/