Katër nga pesë kardinalët që së shpejti do ta zgjedhin papën e ardhshëm ia detyrojnë pozitat e tyre Papa Françeskut.
Nga 135 anëtarët e Kolegjit të Kardinalëve nën moshën 80 vjeç që janë të kualifikuar, Papa Françesku i ka emëruar 108 prej tyre. Kjo do të thotë se 80% e votave që do të hidhen në konklavën e ardhshme do të jenë nga kardinalë të ngritur në detyrë nga Françesku.
Konklava, e cila duhet të mbahet brenda tre javëve të ardhshme, do të jetë “një nga më të larmishmet që kemi pasur në historinë e kishës”, tha për CNN Susan Timoney, profesoreshë në Universitetin Katolik të Amerikës në washington, DC.
Gjatë papatit të tij 12-vjeçar, Françesku emëroi më shumë se 20 kardinalë nga vende që më parë nuk kishin pasur kurrë kardinal, pothuajse të gjithë nga vende në zhvillim, duke përfshirë Mongolinë, Laosin, Papua Guinenë e Re dhe Malin.
Për shkak se shumë nga kardinalët e emëruar nga papët e mëparshëm mbushën 80 vjeç gjatë papatit të Françeskut, ky “ndryshim gjeneracional në moshën e kardinalëve” i lejoi atij t’o emëronte anëtarë të rinj nga pjesë të ndryshme të botës, tha Timoney.
Timoney shtoi se bisedat mes kardinalëve përpara konklavës janë shpesh vendimtare në përcaktimin e papës së ardhshëm.
“Atje është vendi ku kardinalët bashkohen. Ata flasin për: ‘Cilat janë përparësitë tona? Çfarë duhet të bëjmë me të vërtetë si kishë?’” tha ajo.
Duke pasur parasysh sa shumë kardinalë ia detyrojnë pozicionin Françeskut, disa kanë spekuluar se kjo mund ta çojë konklavën drejt emërimit të një pasuesi që do të vazhdojë t’i ndjekë prioritetet e tij baritore.