52 ditë ka zgjatur saga e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të gjashtë tetorit, që erdhën si rezultat i dorëheqjes së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit. Tashmë procesi i krijimit të qeverisë së ardhshme që me shumë gjasë do të jetë VV-LDK mbetet në dorë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, të cilit i takon ta thërrasë seancën konstituive të Kuvendit dhe t’ia japë mandatin për krijimin e Qeverisë fituesit të zgjedhjeve. Thaçi sot është pyetur për veprimet që i takojnë me Kushtetutë, por nuk u ka folur gazetarëve, shkruan Gazeta Express.
Rezultati përfundimtar që dje shpalli Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmoi si parti të parë të dala nga zgjedhjet, Lëvizjen Vetëvendosje, derisa, liderin e kësaj partie, Albin Kurtin si më të votuarin. Pas VV-së, radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Isa Mustafa.
“Në bazë të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 26.27 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.54 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 21.23 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Partinë Socialdemokrate ka marrë 11.51 për qind, Lista Serbe 6.40 për qind të votave dhe Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë ka 5.002 për qind”, ka njoftuar përmes një konference për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
Derisa në PZAP dhe në Gjykatë Supreme nuk kishte ndonjë çështje për t’u shqyrtuar, një e tillë tashmë është dorëzuar në Gjykatë Kushtuese. NISMA-AKR-PD e kanë çuar në Kushtetuese punën e votave të diasporës, megjithatë, kjo nuk do të mund të ndikojë diçka në rezultatin përfundimtar.
Partia e parë e dalë nga zgjedhjet, VV-ja veçse ka mbajtur disa takime me partinë e Mustafës, me të cilën janë në fund të diskutimeve. U premtua se marrëveshja përfundimtare do të nënshkruhet 72 orë pas certifikimit të rezultateve.
Derisa LDK e VV kurrë nuk ishin më afër arritjes përfundimtare të koalicionit qeverisës, tashmë roli kryesor i mbetet presidentit të vendit, Hashim Thaçit.
Thaçi, kundërshtar politik i Kurtit, ishte motiv i disa protestave të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa, të dy së bashku nuk komunikojnë mes vete, pas disa përplasjeve që i patën në distancë për tema të ndryshme.
Pavarësisht këtyre përplasjeve, Kushtetuta e Kosovës, e saktëson mënyrën se si zgjidhet lideri i Qeverisë. Në bazë të saj, Kuvendi i Kosovës, zgjidhet me mandat katërvjeçar duke filluar nga seanca konstituive, e cila saktësohet se duhet të mbahet 30 ditë nga dita e certifikimit të rezultatit.
Për të mbajtur kjo seancë konstitutive, duhet që ajo të thirret nga presidenti i Kosovës. Derisa Thaçi e ka të drejtën që seancën ta thërrasë menjëherë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar.
Në rast se Thaçi nuk do të thërrasë një mbledhje të Kuvendit, për të mandatuar qeverinë e ardhshme, ajo mund të thirret edhe pa pjesëmarrjen e presidentit. Kjo ndodh në rast se presidenti brenda afatit të përcaktuar nuk e thërret seancën, që do t’i paraprijë krijimit të qeverisë.
“Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”, shkruhet në Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës. Në rast se Presidenti e thërret seancën ku votohet Kurti si kryeministër, pas emërimit e paraqet qeverinë e re në një afat jo më vonë se 15 ditë pas emërimit të tij, derisa, kjo më vonë miratohet në Kuvend të Kosovës.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur, në rast se ajo votohet në Kuvend të Kosovës dhe merr më shumë se 61 vota.
Kushtetuta e saktëson se në rast se përbërja e qeverisë nuk merr shumicën e votave, brenda 10 ditëve presidenti emëron kandidatin tjetër sipas të njëjtës procedurë.
Procedurën e konstituimit të Kuvendit e ka shpjeguar në një prononcim për Gazetën Express edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Murati.
“Sipas Kushtetutës, në momentin kur bëhet certifikimi, fillon afati kushtetues prej 30 ditësh në bazë të cilit duhet të thirret seanca konstituive për legjislaturën e re. Sipas Kushtetutës kompetencë për thirrjen e seancës konstituive ka presidenti i vendit. Presidenti Thaçi ka afat 30 ditë që të bëjë një gjë të tillë. Afati ka filluar të konsumohet që nga dje, dhe unë konsideroj që nuk ka nevojë të pritet 30 ditë, sepse janë pjekur të gjitha kushtet për të thirrur një seancë konstituive”, ka thënë Murati. Murati thotë se nëse presidenti nuk e bënë një gjë të tillë, atëherë seancën konstituive mund ta thërras kryesia e vjetër e Kuvendit.
Siç ka shpjeguar ai kjo seancë drejtohet nga deputeti më i vjetër i asistuar nga deputeti më i ri, që në rastin e legjislaturës së re janë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Fillimisht votohet për kryetarin e Kuvendit që nominohet nga subjekti fitues, dhe më pas votohet për nënkryetarët e Kuvendit, dhe kësisoj që konstituohet Kryesia e re e Kuvendit. Më pas betohen edhe deputetët”, ka thënë Murati.
VV e LDK problem për të marrë votat e mjaftueshme në Kuvend, tashmë u bë e ditur se nuk do të kenë. VV ka marrë 29 deputetë, ndërsa, LDK-ja 28. Grupit parlamentar të partisë së Kurtit pas gjashtë tetorit iu është bashkuar edhe deputeti i IRDK-së, Elber Krasniqi.
Pak ditë më vonë u bë e ditur se ai ka marrë mbështetje si kryeministër edhe nga tre deputetë të komuniteteve jo shumicë, që e çon në 61 numrin e votave që do të sigurojë ai, kurdo herë që thirret seanca.
Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katër vjeçar, derisa, nga 120 ulëse sa janë gjithsej 20 janë të garantuara për komunitetet jo shumicë, saktësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera jo shumicë.
Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët, që përbëjnë kryesinë e këtij institucioni.
Krye parlamentari propozohet nga grupi më i madh parlamentar, derisa, zgjidhja e tij/saj bëhet me shumicë të votave të deputetëve. Tre nënkryetarët ndërkaq propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, derisa, dy ju takojnë komuniteteve jo shumicë.
Partia e Albin Kurtit nga zgjedhjet e gjashtë tetorit ka dalë me më së shumti deputetë, gjithsej 29 ulëse në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 28, PDK-ja, 24 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 13, Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë.
Nga komunitetet jo shumicë, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve jo serbe./GazetaExpress/
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...