string(64) "per-4-muaj-103-milione-euro-humbje-ne-mjetet-e-trustit-pensional"

Për 4 muaj, 103 milionë euro humbje në mjetet e Trustit Pensional

Lajme

Gazeta Express

21/04/2025 7:40

103 milionë euro më pak figurojnë në kuletën e Trustit krahasuar me dhjetorin e vitit që shkoi, shkruan koha.net.

Sipas ekonomistëve, kjo është pasojë e politikave tregtare që ndjek presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Lexo Edhe:

Kursimet pensionale të kosovarëve investohen në kompani të huaja, por edhe vendore me qëllim ruajtjen dhe rritjen e vlerës së kursimeve.

Visar Vokrri, profesor i ekonomisë, thotë se tarifat që i ka vendosur presidenti Trump, kanë ndikuar në tregjet globale të aksioneve dhe investimeve.

 “Një gjë e tillë vjen si rezultat i pasigurive që janë krijuar në tregjet financiare të kapitalit, për shkak të rrethanave të reja gjeopolitike, nëse mund të shprehen kështu, sidomos pas masave tregtare që ka ndërmarrë presidenti Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pastaj ka reflektuar në investimet që i ka bërë Trusti”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, në institucionin që menaxhon me kursimet thonë se e kanë menaxhuar mirë situatën.

“Që nga fillimi i vitit 2025 e deri në datën e raportimit, indekset e rëndësishme të bursave, si S&P 500 dhe  NASDAQ, kanë shënuar rënie -10.2% dhe -15%, përkatësisht. Përkundër kësaj, efektet në portofolat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (pra Trustit) ishin më të kontrolluara, për shkak të strukturës së balancuar dhe strategjisë së diversifikimit që zbatohet në vazhdimësi”, thuhet në njoftimin e Trustit.

Trusti ka tri portofola, ai konservativ, për kontribuuesit afër pensionimit 63 vjeç ose

më shumë, e që nuk ka shënuar humbje.

Portofoli i balancuar, për kontribuuesit e moshës 58-62 vjeçare që sipas Trustit ka performancë kthimi -3.9%.

Dhe portofoli standard për personat nën 57 vjeç, i cili ka marrë goditjen më të madhe në kthim të investimeve me -7.1%.

Pjesa më e madhe e kursimeve janë të investuara në sektorët e teknologjisë së informacionit, në financa, industri, kujdes shëndetësor, energji etj.

437 milionë janë të investuara në buxhetin e Kosovës, 66 milionë në kompaninë amerikane Microsoft, 57 milionë në kompaninë Apple, po ashtu ka investime në banka që operojnë në Kosovë.

Sipas ekonomistit Vokrri, investimet Trusti duhet t’i bëjë me kujdes, sidomos në situata të paqëndrueshme ekonomike e gjeopolitike.

“Duhet me kujdes që të bëhet diversifikimi i portofolios në mënyrë që edhe të sigurojmë kthim relativisht të mirë por edhe menaxhim më të lehtë të riskut që mund të vije nga luhatjet në tregje. Kështu që kombinimi në investim brenda, por edhe në tregjet jashtë unë besoj që është i duhuri, por gjithsesi duhet pasur shumë kujdes ku investohet”, ka shtuar ai.

Mjetet nën menaxhimin e Trustit, deri në mesin e këtij muaji ishin 3 miliardë e 77 milionë. Në fundvit këto mjete kapnin vlerën prej 3 miliardë e 181 milionë eurosh.