string(56) "per-here-te-pare-shfaqen-veturat-duke-fluturuar-ne-dubai"

Për herë të parë shfaqen veturat duke fluturuar në Dubai

AutoTech

Gazeta Express

19/10/2022 21:12

Ndonëse veturat fluturuese nuk po mbushin ende qiejt, një numër i tyre janë në zhvillim e sipër.

Javën e kaluar, kompania XPeng X2 përfundoi me sukses fluturimin e parë testues në publik, në ekspozitën e teknologjisë GITEX në Dubai.

Lexo Edhe:

XPeng X2 ngrihet vertikalisht nga toka duke përdorur tetë helikë, pa pasur nevojë për një pistë, dhe për këtë arsye është i përshtatshëm për zonat urbane të ndërtuara, raportoi CNN-i të mërkurën.

Automjeti, i projektuar për të transportuar dy pasagjerë, është plotësisht elektrik dhe prodhuesit e tij thonë se mund të ngrihet në ajër me rreth dy metra në sekondë e të arrijë shpejtësi deri në 128 km në orë.

Megjithëse fluturimi testues zgjati vetëm 90 sekonda, sipas Liu Xinyin, specialisti kryesor i aviacionit në XPeng Aeroht, teknologjia është afër gatishmërisë për përdorim publik, por rregulloret rreth makinave fluturuese janë ende shumë larg.

XPeng planifikon të punojë me qeveritë për të krijuar një infrastrukturë rregullatore fizike për veturat fluturuese në zonat urbane dhe Liu beson se njerëzit do të jenë në gjendje t’i përdorin ato brenda hapësirave të kufizuara. Kjo përputhet mjaft mirë me planet ambicioze të qeverisë kineze për të nisur taksitë fluturuese deri në vitin 2025.

XPeng X2 është i pajisur me automatizim AI, që do të thotë se mund të drejtohet manualisht ose mund të vendoset në vetë-drejtim.

“Mëson si të shmangë trafikun, të shmangë ndërtesat dhe njerëzit”, thotë Liu.

Elementët vetëdrejtues paraqesin vështirësi të mëtejshme me rregullimin dhe gjithashtu vënë në pikëpyetje pranimin publik. Shumë njerëz janë ende të shqetësuar me çështjet e sigurisë rreth veturave që drejtohen vetë në tokë, e lëre më automjeteve që drejtohen vetë mbi kokat e tyre. Megjithatë, XPeng thotë se është më e sigurt që vetura e saj fluturuese të jetë vetë-drejtuese sesa të drejtohet nga një njeri.

Aktualisht ka dhjetëra vetura fluturuese në zhvillim në mbarë botën.