string(97) "perplasjet-e-zyrtareve-me-te-larte-per-votat-me-poste-qe-rrodhen-jashte-partise-e-trazojne-ldk-ne"

Lajme

Gazeta Express

01/04/2025 17:06

Përplasjet e zyrtarëve më të lartë për votat me postë që rrodhën jashtë partisë e trazojnë LDK-në

Lajme

Gazeta Express

01/04/2025 17:06

Anëtarë të kryesisë së LDK-së kanë shkëmbyer shqetësime me doza akuzash lidhur me votat me postë. Komunikimet që rrodhën nga një grup ku bënin pjesë zyrtarët më të lartë, e kanë trazuar partinë më të vjetër në vend, duke shfaqur një nivel të caktuar problemesh dhe pakënaqësish të brendshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 171,357 vota apo 18.27% në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Nuk ishte rezultati që donin dhe prisnin anëtarët e kryesisë së partisë, të cilët, përfshirë edhe kryetarin e partisë, e thanë këtë edhe publikisht.

Lexo Edhe:

Me rezultatin “jo të kënaqshëm”, u shfaqën disa shqetësime edhe për diçka tjetër përveç tij.

Disa kandidatë të LDK-së për deputetë u ankuan publikisht për keqpërdorime brenda listës së partisë lidhur me votat nga jashtë. Ankesat u adresuan kryesisht në një pikë: disa kandidatë të partisë ishin votuar në mënyrë joproporcionale në votat me postë, krahasuar me votimin në Kosovë.

Në mesin e atyre që u ankuan qe edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili tha madje se “LDK-ja ka nevojë për lidership të ri” dhe se “nuk ka rrugë tjetër për kthimin e besimit” të “anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë”, në një postim në Facebook më 18 mars.

Ai i kishte shprehur të gjitha vërejtjet e tij publikisht një javë pasi LDK-ja kishte mbajtur një mbledhje që kishte zgjatur rreth pesë orë, e në të cilën ishte diskutuar pothuajse gjithçka rreth zgjedhjeve të sapozhvilluara.

Së fundmi, LDK-në më shumë se ky rezultat e kanë trazuar disa komunikime që rrodhën nga grupi i kryesisë së partisë në Viber, e të cilat po i publikon Reporteri.

Ndërsa po numëroheshin votat me postë, Avdullah Hoti kërkonte që “grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë” të tregonte se çfarë po ndodhte me votat e kandidatëve, në të cilat ai tha se ishin evidentuar disa “parregullsi” dhe mospërputhje të “çuditshme”.

“E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!! Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!! Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Unë tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit. Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, shkruante ai më 2 mars 2025, në atë grup.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ishte përgjigjur Avdullah Hotit po atë ditë kur ai e kishte ngritur shqetësimin lidhur me votat me postë, duke thënë se çështjet e tjera përveç numrit të mandateve që do t’i fitonte partia, ishin “lluks momental”.

“Përshëndetje Avdullah, Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë” , shkruante Abdixhiku më 2 mars.

“Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë”, shtonte ai.

Edhe ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së po këmbëngulte atë ditë se kishte pasur vjedhje të votave brenda listës dhe insistonte që skemës, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë e organizuar kriminale”.

“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, kishte shkruar Arben Gashi, duke i replikuar, siç vërehej, nënkryetarit të partisë, Kujtim Shala, i cili ia kthente më pas: “Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”.

“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, këmbëngulte sërish Gashi.

“Ok dajë, e indentifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por ka edhe institucione që merren me gjërat e tilla”, ia kthente Shala. “Ok”, i përgjigjej Gashi në një diskutim që dukej i mbyllur.

Për votat me postë ishte ankuar edhe Shkëmb Manaj, në një grup me bashkëpartiakë në WhatsApp. Mesazhin e tij e kishte publikuar më herët Reporteri dhe ai shkruante kështu: “Është proces i manipuluar përmes skemave kriminale, në të cilin fatkeqësisht janë përfshirë edhe kolegë tanë të listes kandiduese, të cilët janë edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore të LDK-së”.

“Nuk lejoj kurrë që mandatin të cilin ma kanë dhënë qytetarët, të me vjedhjet nga ata qe me skema të shitblerjes se votave dhe të mbushjes industriale të tyre në postat e vendeve evropiane nga grupe dhe individë që me logjikën e tyre të veprimit nuk kanë të bëjnë asgjë me LDK-në”, shkruante ai.

“Manipulimi i votave të kandidatëve është evident, edhe fëmijët po i vërejnë”, kishte shkruar Manaj, i cili nuk ka arritur të marrë mjaftueshëm vota për t’u bërë deputet.

Abdixhiku shkroi mbrëmë në Facebook se “sulmet e sinkronizuara ndaj LDK-së, të nisura që nga përfundimi i zgjedhjeve, nuk janë as të rastësishme e as të paqëllimshme”. Ato, ai tha se “rikulmuan” në “sinkron”.

“Janë sulme që për target pështyme kanë, merreni me mend, partinë e vendit të tretë. Ne, sërish, për të satën herë nga vendi i tretë – siç na kujtojnë këta si të parëdësishëm – jemi fajtorët kryesorë për secilën gjë në këtë vend. Në këto sulme të paramenduara e në sinkron, janë bërë bashkë kundërshtarët e rinj e të vjetër të Lidhjes; dhe gjithë ata që ndjejnë se kanë humbur hapin me hapjen e madhe që në LDK ka ndodhë, po ndodhë dhe do të ndodhë”, shkroi ai.

Ai tha se “LDK po qëndron për veten; dhe nëpërmjet vetes dhe për Republikën”, e se për këtë arsye “edhe po sulmohet nga të tjerët”.

“Sa për informim, temat e brendshme janë diskutuar tashmë në Kryesi. LDK i beson institucioneve tona në çdo drejtim; dhe në këtë drejtim. Ne nuk bëjmë as prokurorinë e as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve tona edhe kur ka fituar në tri nivele betejën e tentim anulimit të votave tona me partinë në pushtet. Tri fitore në tri nivele – sepse vota jonë është e shenjtë dhe e drejtë! Prandaj dhe fitorja ligjore. Nga opozita, nga vendi i tretë, nga pozicioni i sulmuar nga të giithë përnjëherë! E drejta megjithatë triumfon!”, shkroi Abdixhiku ndër tjerash.

Prokuroria Themelore e Prishtinës tash e disa ditë ka nisur hetimet lidhur me parregullsitë e denoncuara lidhur me votimit me postë.