string(117) "persona-te-moshuar-gra-shtatzena-e-femije-moren-trajtim-mjekesor-pasi-disa-vetura-u-perfshine-nga-zjarri-ne-prishtine"

Persona të moshuar, gra shtatzëna e fëmijë morën trajtim mjekësor pasi disa vetura u përfshinë nga zjarri në Prishtinë

Lajme

Gazeta Express

26/06/2024 13:35

Nga zjarri që kaploi disa vetura mëngjesin e hershëm të së mërkurës në një parking në Prishtinë, 30 persona kanë marrë tretman mjekësorë.

Kështu tha në një prononcim për Telegrafin shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi.

Lexo Edhe:

Ai tha se nga zjarri i veturave kompleksi banesor ishte përfshirë nga tymi, e kjo kishte shkaktuar edhe panik tek qytetarët.

“Nga djegia e këtyre veturave kompleksi i objekteve LESNA kryesisht hyrja nr. 2 ishte përfshirë në tym dhe si pasojë kishte edhe panik tek qytetarët, mirëpo me iniciativën tonë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës kemi arrit me i qetësu ata dhe bazuar në prioritete afërsisht 30 prej tyre kryesisht të moshuar, gra shtatzëna, persona me probleme shëndetësore dhe fëmijë i kemi evakuuar nga ndërtesa dhe ofruar tek Urgjenca Mjekësore”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, tre vetura janë djegur tërësisht dhe dy të tjera pjesërisht si pasojë e zjarrit i cili ndodhi rreth orës 01:16 në një parking nëntokësor në Prishtinë.

Ai tha se në mesin e veturave të djegura tërësisht është dhe një veturë zyrtare.

“Informata për zjarr në një parking nëntokësor është marrë në ora 01:16. Pasi kemi marrë lajmin nga Policia  e Kosovës se në vendin e lartcekur kemi një zjarr në një parking nëntokësor, kemi dalë në vendin e ngjarjes.

Me të filluar operacionin pamë se në zjarr janë përfshirë tri vetura, në mesin e tyre dhe një veturë zyrtare të cilat janë djegur pothuajse tërësisht, si dhe janë dëmtuar pjesërisht dy vetura të tjera”, ka thënë Gashi.