Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, ka deklaruar për televizionin publik serb, RTS-në se “përpjekja për të shfuqizuar transaksionet e pagesave në Kosovë është një nga vendimet më të vështira dhe të veprimeve të njëanshme të Albin Kurtit, qëllimi i të cilit është “eksodi i popullit serb, i cili ndikon në mbijetesën e pakicës serbe në Kosovë”. Ai gjithashtu ka pretenduar se “si Bislimi ashtu edhe Kurti dhe të gjithë në Kosovë e përdorin euron “në mënyrë ilegale” dhe tani guxojnë të thonë se dinari është i paligjshëm dhe se nuk ka të drejtë të jetë në territorin e Kosovës”.
Ai ka thënë se adresimi mediatik është vetëm një segment i luftës diplomatike që zgjat me ditë të tëra.
“Tani dëgjuam presidentin tonë Aleksandar Vuçiq, ai pati takime dhe bisedime shumë të rëndësishme me përfaqësues të shumtë ndërkombëtarë në Davos, me njerëzit më me ndikim në botë, ku bisedoi me ta për situatën në Kosovë dhe veçanërisht për atë që mund të ndodhë nëse ky vendim i Prishtinës, i cili ka të bëjë me transaksionet e pagesave, hyn në fuqi, kështu që ne këtu në Beograd gjatë kësaj kohe, por edhe në ditët kur morëm vesh për këtë informacion, filluam me kontakte të shumta diplomatike dhe takime me autoritetet kompetente shtetërore, sektorin bankar, dhe me Kursimoren e Postës”, ka pretenduar Petkoviq, transmeton Paparaci.
Petkoviq ka thënë se “janë bërë analiza të rëndësishme me përfaqësuesit e KUINT-it dhe me të gjithë në Bashkimin Evropian”, dhe se atyre i janë paraqitur qartë “përmasat katastrofike” nëse një vendim i tillë i njëanshëm i Kosovës hyn në fuqi”.
“Sigurisht që pres që të realizohet ajo që tha zoti Lajçak, se ai shpreson në një zgjidhje që nuk do të përfundojë me pasoja negative. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sepse nëse Bislimi thotë se dinari nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës, se ata që përdorin dinarë janë shkelës te ligjit, pra le të hapim çështjen e valutës në Kosovë, të hapim çështjen e statusit te euros në territorin e Kosovës”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka pretenduar se “valuta e vetme në Kosovë është miratuar nga Banka Popullore e Serbisë”, dhe se “ajo valutë është dinari e jo euro”.
“Më lejoni të përkthej: Edhe Bislimi edhe Kurti edhe të gjithë në Prishtinë e përdorin euron ilegalisht dhe tani guxojnë të thonë se dinari është i paligjshëm dhe nuk ka të drejtë të jetë në territorin e Kosovës. Në fakt, valuta e vetme në Kosovë është miratuar nga Banka Popullore e Serbisë dhe ajo valutë është dinari, jo euro, sepse Kosova nuk ka nënshkruar asnjëherë asnjë marrëveshje, asnjë marrëveshje me Bankën Qendrore Evropiane, as me Bashkimin Evropian, kështu që ne do ta hapim këto çështje veç e veç. Le të shohim se cilët janë ata që janë shkelës të normave, standardeve dhe rregulloreve evropiane, si munden ata ta anulojnë dinarin, i cili është i ligjshëm në territorin e Kosovës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme”, ka pretenduar Petkoviq, me gjasë duke ëndërruar se po jeton në shekullin e kaluar.
Sipas tij, Serbia “do të bëjë absolutisht gjithçka” në lidhje me këtë.
“Tani po bëjmë një betejë serioze diplomatike që ky vendim thjesht të mos hyjë në fuqi, por duke pasur parasysh se me kë duhet të flasim, kush është në anën tjetër të tryezës që mendon vetëm për krizat, për përshkallëzimin e situatës në Kosovë nuk e di çfarë të them. Sa i përket Serbisë, ne nuk do te lejojmë asnjë serb apo asnjë njeri që merr rrogë, pension apo ndonjë ndihmë sociale apo bën transaksion monetar në dinarë ne territorin e Kosovës, nuk do të lëmë asnjë prej tyre pa të ardhurat e tyre sepse nuk na lejohet të pajtohemi me këtë, sepse qëllimi i Kurtit është të përdorë një dekret kaq të dhunshëm, të paligjshëm për të shkuar realisht në drejtim të spastrimit etnik të serbëve në Kosovë”, ka pretenduar Petkoviq.