Poeti i lirë si era - Gazeta Express
string(19) "poeti-i-lire-si-era"

Poeti i lirë si era

Gazeta Express

28/12/2019 14:37

I rritur pa baba e në një ambient jo shumë të zakonshëm, Pesoas, paradoksalisht, si duket kjo jetë i ndihmoi që të formësohej si poet, i ndihmoi që jetën ta sheh në një mënyrë tjetër, tamam si poet, si njëri ndër poetët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Shkruan: Bujar Tafa

Lexo Edhe:

Ditë më parë u bën tetëdhjetekatër vite që  kur vdiq poeti Fernando Pesoa (1888-1935) i cili sot vlerësohet si njëri ndër poetët më të mëdhenj, jo vetëm në letërsinë portugeze në të cilën ai ka shkruar, por edhe të asaj botërore në përgjithësi.          Është i ditur një fakt shumë tronditës e njëkohësisht shumë domethënës për jetën e tij. Pesoa e kaloi tërë jetën duke iu shmangur, në një mënyrë, botës letrare të kohës në të cilën jetoi dhe në përgjithësi, duke iu shmangur kontakteve sociale. Për më tepër, gjatë veprimtarisë së tij ai krijoi dhe botoi me shumë pseudonime, sikur donte që,  në këtë mënyrë ta shkrinte dhe ta humbiste  veten në një rreth shumë më të gjerë të mendësisë dhe rrethit kulturor të asaj kohe. Që ta kemi sa më të përafërt dhe më të qartë këtë fakt, duhet ta imagjinojmë botimin e veprave të shkëlqyera poetike, të cilat botohen sa me një pseudonim e sa me një pseudonim tjetër po nga i njëjti autor, pra nga vetë Fernando Pesoa. Në këtë mënyrë poeti, si të thuash, paradoksalisht, shfaqet si përfaqësues apo zëdhënës i një rrethi më të madh njerëzor e krijues. Në të njëjtën kohë, Pesoa e ndërton profilin e një intelektuali i cili për arsye të veçanta e krijon një distancë me rrethin e tij. Ai tip intelektuali nuk pranon të bëhet prijës e luftëtar i kauzave të caktuara të cilat jo gjithherë janë të drejta e jo gjithherë janë të vërteta dhe, rrjedhimisht, jo gjithherë i përfaqësojnë idealet e tij. Ai tip intelektuali në asnjë mënyrë nuk e  pranon snobizmin, hipokrizinë e konformizmin e kohës. Kështu, ai tip intelektuali zhvillohet e funksionon. Tërë atë kapacitetin intelektual e artistik ai e ndërton në botën e tij, kuptohet, poetike e cila botë  për se bukuri dhe mrekullisht e pranon dhe ndërvepron me autorin. Kjo është një marrëdhënie e shkëlqyeshme dhe shumë e harmonizuar. Them se është një model i mrekullueshëm, më shumë  i konceptit të artit për art (l‘art pour l’art-izmit)  se sa i një modeli vetëm bohemik.

Fernando Pesoa, në poezitë e tij të lë përshtypjen sikur luan me filozofinë njerëzore, sikur manipulon me koncepte e me mënyrën e jetës njerëzore. Nuk është se i nënçmon ato vlera, veçse ai në ato koncepte ekzistuese, në ato vlera njerëzore, pastaj në përgjithësi në atë botën materiale dhe shpirtërore që e karakterizon natyrën njerëzore, Pesoa insiston që ta gjej magjinë në të, ta gjej atë që është më mistike dhe, si të thuash, më e panjohur dhe më e pa trajtuar më parë. Aty ai e gjen bazën ku e ndërton rrëfimin e tij. Ai i trajton në vazhdimësi këto koncepte, por, qenësore është se ato poezi bartin në vete një filozofi të thellë, e meqë këtë filozofi ai e shkruan me gjuhë poetike, figurative, rezultati është me të vërtetë fenomenal e  mbresëlënës sepse Pesoa në tërë poezitë e tij të mrekullon, të lë pa fjalë, me gjetjet e tij krejtësisht të reja e të panjohura më parë.

E veçantë është poezia e tij “I kërkoj zotave vetëm të më harrojnë” (përkthyer nga Betim Muço). Në këtë poezi Pesoa e shpreh jo vetëm një ndjenjë lodhjeje të një gjenerate të tërë me realitetin e asaj kohe por, në rrafshin personal ai e shpreh thjesht dhe fuqishëm, në të njëjtën kohë, edhe  pozicionin e vet në botë duke u diferencuar nga ai realitet.

I kërkoj zotave vetëm të më harrojnë

As trishtim, as gëzim, do të jem i lirë,

I lirë siç është era, që i jep jetë

Ajrit që është asgjë.

Dashuria e urrejtja na kërkojnë e na gjejnë, të dyja

Shtypëse, secila e ndryshme.

                                    I lirë është vetëm ai

                                    Të cilit nuk i japin gjë zotat.

Poeti e shpreh një kërkesë që të  lirohet nga konvencat shoqërore. Ai, si të thuash, kërkon që të rri anash si nga detyrimet jetësore po ashtu edhe nga privilegjet që mund t’i sjell një realitet. Kështu kërkon Pesoa sepse është i vetëdijshëm se çdo gjë në këtë botë ka edhe koston e vet, përfshirë edhe lumturinë, edhe të bukurën. Pra, edhe nëse është privilegj ajo e ka koston e vet. Së këndejmi ai kërkon të jetë i lirë “I lirë siç është era”.

Në të gjitha rrafshet kjo poezi interpretohet si refuzim ndaj të mirave dhe të këqijave të botës. Figurativisht, zotat te kjo poezi transformohen ose asimilohen me botën tonë reale, si atë materiale po ashtu edhe atë shpirtërore.

Kjo poezi dhe refuzimi i dy poleve skematike, e që në esencë këto dy pole shënjojnë edhe motorin ose laboratorin që e mbanë në lëvizje, në dinamikë, botën e jetën, pra dyshja universale; e mira dhe e keqja,  lirisht mund të përkthehen në koncepte antagoniste jo vetëm të botës  materiale  por edhe të asaj shpirtërore, saktësisht me natyrën e qenies njerëzore.

Fernando Pesoa në të gjitha rastet e preferon dhe e aspiron lirinë, jo lirinë në kuptimin skematik, lirinë të cilën e njohim ne, por lirinë në një rrafsh më të gjerë, lirinë e të qenit si era, pa asnjë ngarkesë emocionale e logjike në mendjen tonë, tamam si era. Askush s’e thotë më mirë dhe më thjesht se Pesoa; I lirë si era. Krijimi i një ideali për mrekullinë e mosekzistencës, i të qenit asgjë, apo i të qenit i lirë si era për shumë kë mund të jetë i pakuptimshëm, por për Pesoan ky është ideali. Kjo është ajo që e dëshiron. Kuptueshëm, Pesoa në këtë poezi i zgjeron konceptet për jetën dhe botën përgjithësisht.

I njohur me emrat tjerë si Alberto Caeria, Alvoro de Campos, Ricardo Reis, Bernardo Suarez, etj. Pesoa edhe në poezitë e tjera sikur donte që unin e tij ta shkrinte dhe ta përgjithësonte me një rreth shumë të gjerë, ndërsa vetë të ishte zëdhënës i asaj mendësie shoqërore e i asaj ndjeshmërie poetike.

Fernando Pesoa ngadhënjeu në këtë synim. Triumfoi në synimin e tij për të qenë ashtu i bashkëdyzuar me një rreth të gjerë ngase, sot ai është i njohur në botë, pikërisht për këtë fakt, sepse me poezitë e tij identifikohen shumë njerëz. Poezinë e tij e pranojnë shumë njerëz. Me poezitë e tij ai komunikoi me shumë gjenerata dhe sigurisht që poezia e tij do të vazhdojë të komunikojë fuqishëm edhe me shumë gjenerata të ardhshme.

I rritur pa baba e në një ambient jo shumë të zakonshëm, Pesoas, paradoksalisht, si duket kjo jetë i ndihmoi që të formësohej si poet, i ndihmoi që jetën ta sheh në një mënyrë tjetër, tamam si poet, si njëri ndër poetët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Sepse poetët e mëdhenj kanë drama të mëdha, kanë rrëfime të mëdha e të fuqishme estetikisht. Përndryshe ata nuk do të kishin mundësi të depërtojnë në zemrat dhe në mendjet e miliona lexuesve.

Siç është  thënë, figurativisht, edhe më parë për autorë tjerë të mëdhenj, poetët e mëdhenj çfarë është Pesoa, në zemrat dhe në mendjet e lexuesve nuk hyjnë ngadalë e qetë, ata hyjnë furishëm, duke të tronditur por edhe duke të mrekulluar skajshmërisht.