Teodor Keko (2 shtator 1958 – 22 gusht 2002) ka qenë shkrimtar dhe publicist shqiptar. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ka punuar gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë në gazetën “Aleanca” si redaktor. Për një periudhë kohe ka qenë pjesëtar i Parlamentit shqiptar. Teodor Keko i filloi publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në zhanre të ndryshme si, poezi, dramë, novelë si dhe tregimeve të shkurtra.
NDJENJË E PATHËNË
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
fjalët ti m’i ktheve në harrim,
në qiell është hëna, s’i them dot hënë
s’të flas dot për mjegullën në agim.
më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
në gjoks ti vër çdo fjalë në vend të saj.
pastaj do të përkund në një djep-këngë,
me hënën flokëve si karficë e bardhë.
dhe nëse rrugët për në zemër dot s’i gjen,
më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi.
Mbi ta mbështete kokën,
dhe për një çast ti pendë do të kthehesh,
brenda meje do të vërtitesh, shpirt!
Më mundon kjo ndjenjë e pathënë,
kur ti je kaq pranë dhe kaq e thjeshtë,
u këput një gjethe nga një pemë,
e verdhë si harresa … ishte vjeshtë.
***
E pathëna dhe e panjohura
Nga Donjeta Abazi
Në 4 strofa poezi, Teodor Keko e mëshiron një anë të dashurisë, atë më të pastër dhe më të mundimshme njëkohësisht, shumë lehtë dhe shumë qartë. Loja e fjalëve kyçe siç është mjegulla, agimi, hëna, gjoksi etj, kur bëhen bashkë me krahasimin poetik e të ndërlikuar p.sh vargu ‘me hënën flokëve si karficë e bardhë’ e prish mitin e rrjedhshmërisë së një poezie të zakonshme ama e ndreq një konstrukt e një stil ‘Teodorian’ shumë larg nga poezitë tjera.
Krejt çka poezia e thotë më së miri e me më së shumti romanticitet është dashuria e munguar në një mes, faji nuk ka rëndësi, arsyeja nuk ka rëndësi (fundja në dashuri nuk ka arsye). Ajo çka përnjëmend ngjall të pazakonshmen është ajo që nuk thuhet. Në vargjet e Teodor Kekos nuk thuhet kryesorja e pastaj pason dënimi nga kjo, një dënim që e hesht autorin, jo në poezi, përkundrazi, por në raport me tjetrën po.
Diçka e ndjeshme krijohet për shkak të të pathënës, e cila shndërrohet në të panjohur dhe dalëngadalë shndërrohet në kërkesë, mandej në dëshirë dhe krejt në fund në dashuri. Përfundimisht e pathëna dhe e panjohura na nxitin drejt ndjenjës që kryekëput më shumë krijon vuajtje se lumturi. Idealja në imagjinatë nuk përkon asnjëherë me realen në të vërtetë, ky është burimi i agonisë.
«Dhe nëse rrugët për në zëmër dot s’i gjen,/ Më thuaj të t’i zgjas gishtërinjtë e mi», vazhdim i asaj që thuhet më lart, pranim i vuajtjes dhe kërkesës për të vazhduar edhe më shumë. Tjetra të mos e dijë, të mos e pranojë dashurinë dhe të mos e kthej njësojë; ajo çka ka rëndësi këtu është që tjetra të jetë veç ajo.
Konstrukti i një agonie na rrëshqet në dy vargjet e fundit, derisa autori në secilin varg na flet për të pathënat që i faturojnë në fund dhimbje, në strofën e fundit bëhet vjeshtë.
Jo pse vjeshta është krejt e rastësishme këtu, jo pse vjeshta shkatërron pasqyrën e një të vuajturi ama për një moment na e heq mendjen nga dashuria e na tërheq drejt një akti stinor, një gjethe që bie e që e paralajmëron arritjen e një stine (që llogaritet si stinë e melankolisë)
/Gazeta Express