Giuseppe Ungaretti (1888-1970), nga viti 1912 vendoset në Paris, ku studion në Sorbonë dhe njihet me poetë, shkrimtarë dhe artistë francez e italianë (Cendrars, Breton, Modigliani, Picasso, De Chirico, Apollinaire).
Më 1915, ushtar i thjeshtë në llogoret e Carso-s. Pas luftës ushtron profesionin e mësimdhënësit dhe gazetarit në Paris, Romë dhe në Marino. Nga viti ’38 deri më ’42 jep mësim në San Paolo të Brazilit. Pasi kthehet në Romë ligjëron letërsinë italiane bashkëkohore në universitet. Më 1917 boton Il porto sepolto, më 1919 Allegria di Naufragi (të cilat pastaj botohen në vëllimin e vetëm Allegria, 1931), më 1935 Sentimento del Tempo, më 1947 Il dolore, më 1950 La terra Promessa, më 1952 Un grido di Paesaggi dhe më 1960 Il Taccuino Vecchio. Në prozë ka botuar: Il povero della citta, 1960; Il deserto e dopo, 1961; Saggi e interventi (postum, 1974). Mes përkthimeve përmendim ato të Saint-John Perse, Blake, Jesenin, Paulhan, Mallarme, Racine.
Pelegrinazh
Në pritë / në këto të brendshme / gërmadhash / orë pas ore / e kam tërhequr zvarrë / skeletin tim / të ngrënë nga balta / si një shollë / apo si një farë / murrizi // Ungaretti / njeri i vuajtjes / të mjafton një iluzion / që të fitosh guximin // Një reflektor / atje tej / e nxjerr detin / në mjegull
Valloncello dell’Albero Isolato, më 16 gusht 1916
Koment nga Gigi Cavalli
Qysh nga kompozimet e para të përmbledhjes Porto sepolto, të lindura – si kjo – në baltën e llogores, vërehet natyra revolucionare e poezisë së re: ja “i versicoli” (vargjëzet) pa rimë, hapësirat e bardha, mungesa e pikësimit, ngjitja e imazheve për ndjesive, e frymëzuar nga haiku japonez, nga poezia “e pastër” e Mallarmes dhe nga ajo kubiste e Apollonerit. Pelegrinazhi përmes misterit dhe dhimbjes së ekzistencës gjen te iluzioni guximin e besimit dhe të shpresës. Por në procedimin e rrufeshëm nga zhytja në peizazh në ‘xhirimi i drejtpërdrejtë’ i vetes dhe te ‘mbytja e ëmbël’ e mbylljes vërehet ajo besnikëri ndaj autorëve shumë të dashurve, Petrarkës dhe Leopardit, që përmes fazave vijuese të rrugëtimit të tij të gjatë poetik do ta çojë Ungarettin deri te hapjet baroke.
/treccani.it
/Përkthimi: Gazeta Express