Policia e Indonezisë njoftoi se e ka gjetur lëkurën e një tigri sumatran dhe katër fetuse të kësaj kafshe. Forcat e sigurisë gjatë këtij operacioni i arrestuan edhe disa persona të dyshuar për vrasjen e specieve të rrezikuara, në të cilat bën pjesë edhe ky lloj i tigrit.
Autoritetet lokale thanë se eshtrat e këtij tigri ishin shitur më herët, me gjasë për përdorim në mjekësinë popullore në vende të ndryshme të Azisë, ndërsa lëkura mund të jetë planifikuar për shitje te ndonjë koleksionist i huaj.
Katër fetuset e tigrit, të cilat u gjetën të mbyllura në një kavanoz me ujë, nuk dihet se për çfarë qëllimi ishin planifikuar të përdoreshin.
Policia e bëri të ditur lajmin për konfiskimin e lëkurës dhe fetuseve gjatë një konference të shkurtër për gazetarë, ku edhe u paraqitën pjesët e konfiskuara.
Nëse shpallen fajtorë, personat që u zunë me lëkurën dhe fetuset e tigrit mund të dënohen maksimalisht me pesë vjet burgim.
Tigrat sumatran cilësohen si specie të rrezikuara, sepse kanë mbetur vetëm edhe 400 të tillë, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.