Policia kufitare e Vlorës, ka arritur të parandalojë një rast të dyshuar të trafikut të lëndëve narkotike.
Pas marrjes së informacionit për një mjet të dyshuar që mund të bënte lëvizje të kundraligjshme, duke ardhur nga Italia për t’u larguar më pas përsëri në drejtim të shtetit fqinj, nisën kontrolle në të gjithë zonën.
Gjatë kontrolleve, policia kufitare gjeti mbi 3000 litra karburant në ishullin e Sazanit, të cilat mund të përdoreshin nga mjeti ujor ku dyshimi është për lëndë narkotike, shkruan A2 CNN.
Pas pikasjes së lëndës, Policia Kufitare ka thirrur të gjithë drejtuesit e mjeteve ujore për raportimin e vendndodhjes së mjeteve të tyre duke i vendosur në një regjistrim i cili mungonte prej vitesh.
Pavarësisht se nuk u arrit të kapej mjet ujor dhe rasti ngeli në tentativë, tashmë kanë nisur hetimet për personat që çuan karburantin në ishullin e Sazanit si dhe motivin e dërgimit të lëndës në Sazan.
Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ndodhur 4 ditë më parë.
Dyshime ka edhe për një version tjetër të kësaj ngjarje, e cila pritet të konfirmohet në vijim. Siç mësohet nga disa burime jozyrtare, policia kufitare dhe Guardia di Financa kanë evidentuar fillimisht mjetin i cili të jetë futur në ujërat territoriale shqipare, ku kanë nisur ndjekjen e tij.
Sipas burimeve mjeti ka dashur të hyjë në ujërat territoriale shqiptare, që në afërsi të ishullit të Sazanit të furnizohej me karburant për të vazhduar më pas itenerarin e tij. Por me nisjen e ndjekjes, mjeti ka ndryshuar totalisht drejtim, duke arritur ti shpëtojë Guardia di Financës dhe rojes bregdetare. Mendohet se mjeti dyshohet se të jetë larguar drejt Turqisë.
Dyshohet se kanë hedhur diçka në det, por mbetet ende e pakonfirmuar. Pasi kanë humbur gjurmët e mjetit, kanë nisur kontrollet në Karaburun dhe Sazan, teksa në ishullin e Sazanit janë evidentuar 3000 litra karburant, të ndarë në bidona, të fshehura në zonë që do të përdoreshin për kryerjen e veprimtarisë së mëpasshme kriminale.