string(106) "policia-perdor-force-ndaj-studenteve-serbe-ne-protesten-e-fakultetit-te-sportit-edukimit-fizik-ne-novi-sad"

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 13:15

Policia përdor forcë ndaj studentëve serbë në protestën e Fakultetit të Sportit Edukimit Fizik në Novi Sad

Lajme

Gazeta Express

28/04/2025 13:15

Policia serbe ka përdorur forcë në përpjekje për të larguar studentët dhe qytetarët, të cilët ishin mbledhur me thirrjen e tyre, nga hyrja e Fakultetit të Sportit dhe Edukimit Fizik në Novi Sad, i cili ndodhet në bllokadë prej disa muajsh.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale shihet se policia ka goditur me shkopinj gome protestuesit dhe ka përdorur gaz lotsjellës. Demonstruesit reaguan duke u shtyrë me policinë, duke hedhur shishe dhe duke i spërkatur me ujë. Në disa momente, ata ngritën duart lart për të treguar se nuk kërkonin përplasje, raporton Radio Evropa e Lire.

Lexo Edhe:

Studentët dhe qytetarët iu drejtuan policisë me thirrje si “duart tuaja janë të përgjakura” dhe “ulni mburojat”, si dhe brohoritën parullën e njohur të protestave studentore “pompo”.

Studentët dhe qytetarët ishin mbledhur që në orët e para të mëngjesit të 28 prillit, për të parandaluar dekanin Patrik Drid dhe bashkëpunëtorët e tij që të hynin në ndërtesën e fakultetit dhe të shuanin bllokadën. Drid e kishte thirrur personalisht policinë, ndërsa para fakultetit u vendosën njësi të Njësisë Speciale dhe policisë ndërhyrëse të pajisur me pajisje anti-protestë.

Fakulteti i Sportit dhe Edukimit Fizik, së bashku me dhjetëra institucione të tjera të arsimit të lartë në Serbi, ndodhet prej muajsh në bllokadë. Studentët kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 16 personave në një aksident tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

Drejtuesi i fakultetit, Patrik Drid, është kundër bllokadës dhe ka tentuar të organizojë mësimin, duke deklaruar në një intervistë për televizionin N1 se “shumica e studentëve duan të japin provime”, ndërsa grupin e protestuesve e quajti “të panjohur”.

Më 28 prill, në hyrje të fakultetit, Drid u përball me një numër të madh studentësh, profesorësh dhe qytetarësh që mbështesnin bllokadën. Studentët e quajtën protestën “Ushtrime të mëngjesit” dhe i kërkuan Dridit dorëheqjen me këngë dhe parulla: “Dorëheqje kërkojmë nga ti, dorëheqje, nuk je më kompetent, dorëheqje derisa të të largojnë të gjithë, studentët e tu”.

Pak ditë më parë, më 25 prill, Drid kishte hyrë në fakultet i shoqëruar nga persona të panjohur, duke shqyer parullat e vendosura nga studentët. Studentët reaguan duke i thënë se “ai nuk mund të shqyejë aq shumë parulla sa ata mund të vendosin”.

Pas disa orësh protestë të ngjeshur, Drid dhe bashkëpunëtorët e tij u detyruan të largoheshin nga ndërtesa e fakultetit. Ai deklaroi se do të kthehej të hënën për të tentuar përsëri të çlironte hyrjen dhe pretendoi se 501 studentë nga 923 aktivë ishin regjistruar për ndjekjen e mësimit online.

Protestat studentore, të cilat kanë nisur pas aksidentit të rëndë të 1 nëntorit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona për shkak të shembjes së një strukture, janë shndërruar në simbol të pakënaqësisë më të gjerë ndaj gjendjes së sundimit të ligjit në Serbi.

Ndërkohë që autoritetet thonë se kërkesat e studentëve janë plotësuar dhe u bëjnë thirrje të hapin fakultetet, studentët këmbëngulin se asnjë kërkesë e tyre nuk është realizuar dhe deklarojnë se bllokadat do të vazhdojnë.

Në mbështetje të studentëve janë bashkuar edhe qindra mijëra qytetarë, profesorë, arsimtarë, bujq, avokatë dhe aktorë.