string(121) "politika-shqiptare-ne-zi-per-ndarjen-nga-jeta-te-papa-franceskut-nje-mik-i-madh-i-shqiperise-dhe-simbol-i-paqes-per-boten"

Politika shqiptare në zi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut: Një mik i madh i Shqipërisë dhe simbol i paqes për botën

Shqiperi

Gazeta Express

21/04/2025 11:53

Lajmi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut ka ngjallur reagime të shumta në politikën shqiptare, ku figura e Atit të Shenjtë vlerësohet si një simbol i përulësisë, mëshirës dhe dashurisë për njerëzit. Drejtues të institucioneve më të larta në vend, ish-presidentë, kryebashkiakë dhe liderë opozitarë kanë shprehur dhimbjen dhe mirënjohjen për kontributin e Papës ndaj Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një mesazh të ndjerë, përkujtoi takimet me Atin e Shenjtë dhe përçoi mesazhin e tij shpirtëror:

Lexo Edhe:

“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë, dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje. Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!”

Nga qelia ku ndodhet, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u shpreh i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Papës:

“Do të kujtohet përherë me mirënjohje për udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike dhe të njerëzimit në rrugën e paqes, dashurisë, solidaritetit e bashkëpunimit. Përherë falënderues për vëmendjen e veçantë dhe mbështetjen që i dha kombit shqiptar.”

Meta solli në vëmendje edhe mesazhet që Papa Françesku dha për rininë shqiptare gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama, që ndodhej në një takim në Kavajë në momentin që mësoi lajmin, e ndërpreu aktivitetin për një minutë heshtje në nder të Atit të Shenjtë. Më pas, në rrjetet sociale shkroi:
Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë.”

Kreu i qeverisë vlerësoi raportin personal me Françeskun, ndërsa kujtoi edhe vizitën e tij të parë si Papë, të cilën zgjodhi ta bënte në Shqipëri në 21 Shtator të vitit 2014.

“Më vjen keq se më erdhi një mesazh këtu, ka ndërruar jetë ati i shenjtë Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam pasur raport personal me të dhe më çonte vazhdimisht mesazhe me Arqipeshkvin dhe më vjen jashtëzakonisht keq. Ai zgjodhi ta vizitonte Shqipërinë, të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi pasi u zgjodh Papë. Pas një takimi që patëm, në Shqipëri kaloi një ditë që ai vetë e konsideronte të paharrueshme. Tha edhe atë fjalën e paharrueshme që Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por vëllazëri fetare. Ishte një Papë ndryshe nga të tjerët dhe besoj se kam mirëkuptimin tuaj që ta nderojmë me një minutë heshtje dhe ta mbyllim këtu takimin.”, tha Rama.

Pas një minutë heshtje, kryeministri kujtoi edhe një bisedë me Papën për faktin se kishte bërë shumë ‘armiq’.

“Më kujtohet që në takimin e dytë, jemi takuar disa herë por në Vatikan e pyes dhe i them Ati i Shenjtë më duket se shumë armiq ke bërë, duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një Papë. Edhe se harroj kurrë më tha ‘Kryeministër nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit kur do t’i them dhe kujt do t’ia them krimbave kur të shkoj në varr.”, u shpreh Rama

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përshëndeti figurën e Papës si një udhëheqës shpirtëror që i dha dritë botës dhe afërsi shqiptarëve:

“Ai mbushi me dritë zemrat e njerëzve, simbol i përulësisë, dashurisë dhe paqes. Një mik i madh i Shqipërisë e shqiptarëve, i paharrueshëm për ndihmesën që dha në afrimin mes njerëzve dhe feve.”

Lideri i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, kujtoi me nderim takimin me Papën në vitin 2014 kur ai vizitoi Tiranën. Në atë kohë, Basha i dorëzoi Atit të Shenjtë titullin Qytetar Nderi i Kryeqytetit:
“Papa Françesku ishte një udhëheqës shpirtëror i përulur, simbol i dashurisë, paqes dhe përkushtimit ndaj më të varfërve. Me thjeshtësinë e tij frymëzoi miliona njerëz. Në ato ditë të paharruara, Shqipëria u bë vendi i parë europian që ai vizitoi si Papë.