Shkruar nga Fatos Çoçoli, ekskluzivisht për Gazetën Express
Sot marrëdheniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës zhvillohen përmes 90 marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit ekonomik, social, kulturor dhe politik. Nga te dyja qeverite po permendet projekti i një hekurrudhe mes Shqipërisë dhe Kosovës. Janë zhvilluar bisedime mes dy qeverive tona dhe ndoshta është çështje muajsh që të përgatitet studimi i fizibilitetit për këtë projekt. Por duhet të nxitojmë, se koha nuk pret.
Në vitin 2009, si qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, e përkundën, si një foshnje në djep, idenë dhe mundësinë që ky port t’i jepej Kosovës për përpunimin e mallrave që shkojnë drejt saj, duke e modernizuar dhe zgjeruar . Porti i Shëngjinit, i ndodhur vetëm 125 km larg kufirit me Kosovën, është një nga portet e rëndësishëm të Shqipërisë, për shkak të afërsisë me Rrugën e Kombit dhe me vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, aftësitë e tij përpunuese vazhdojnë të jenë të ulta. Porti ka një gjatësi të kufizuar kalatash dhe përpunon anije mallrash me kapacitet deri 3,000 tonë.
Zgjerimi i aftësisë përpunuese të Portit të Shëngjinit dhe vendosja në funksion të ekonomisë dhe qeverisë së Kosovës, do të krijonte, praktikisht do te hipotekonte një portë shumë të mirë gjeo-ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Evropës Perëndimore.
Përfitimet nga dhënia nën administrim e Portit të Shëngjinit qeverisë së Kosovës
Porti i zgjeruar dhe modernizuar në shërbim të ekonomisë së Kosovës, do të sillte përfitime ekonomike dhe politike të dyanëshme, si për Kosovën dhe Shqipërinë. Kosova do të ulte varësinë tregtare me vendet fqinje sidomos me Serbinë, duke e orientuar vendin në volumet tregtare drejt vendeve të BE-së.
Këtu nuk është fjala për të dëmtuar ekonomikisht Serbinë, por për t’i krijuar oportunitet Kosovës të konkurojë direkt në tregjet ndërkombëtare dhe biznesi kosovar të mos jetë dorë e dytë apo e tretë në blerjen e mallrave, duke reduktuar ndjeshëm koston e lartë të transportit, në këtë periudhë pandemie dhe lufte në Evropë.
Sa i përket fitimeve politike, me portin, Kosova do të ishte më pak e kërcënuar nga presionet ekonomike shpesh absurde të shtetit serb. Kujtojmë “bllokadën” që Serbia i shpalli Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë. Kjo bllokadë, edhe pse një nonsens ekonomik për Serbinë, më shumë, se sa për Kosovën, përsëri ishte dhe sërisht, nën prizmin e invazionit ushtarak të Diktatorit Putin në Ukrainë, mund të rikthehet si një formë presioni ekonomik dhe politik ndaj shtetit kosovar.
Porti i Shëngjinit, i administruar si port i Kosovës dhe për ekonominë kosovare, do ta pavarësonte më shumë ekonomikisht shtetin e ri të Kosovës, duke i dhënë një liri të dimesionit ekonomiko-politik, një dalje të ëndërruar në Adriatik.
Përsa i përket Shqipërisë, porti i ri do të rriste investimet në vend, si investimet e huaja edhe ato vendase. Këto investime do të realizoheshin në një zonë deri tani me zhvillim mesatar, duke i dhënë një impuls të fuqishëm jetës së banorëve përreth portit.
Porti, nën administrimin e Kosovës, jo vetëm do të sillte përfitime ekonomike për zonën, por do të ishte një mundësi e mirë për zhvillimin e gjithë pjesës Veriperëndimore dhe Verilindore të Shqipërisë.
Përveç përfitimit ekonomik, dhënia e portit nën administrimin e drejtpërdrejtë të Qeverisë kosovare, do ta kthente Shqipërinë në një burim stabiliteti dhe zhvillimi në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, duke u bërë një faktor edhe më i fuqishëm stabiliteti ekonomik e politik.
Porti-urë e jashtëzakonshme bashkimi dhe bashkëpunimi
Në rastin e Portit të Shëngjinit, racionaliteti ekonomik dhe racionaliteti politik shkojnë në kahje të përbashkëta pozitive për të dy vendet tona. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe aspirata e Kosovës për anëtarësim në të ardhmen në këtë organizatë, ashtu si ambicia e njëjtë e të dy vendeve për t’u integruar në Bashkimin Europian, e bëjnë edhe më të dobishëm e kuptimplotë këtë veprim, sa ekonomik aq dhe politik integrues, sa kombëtar aq dhe europian.
Objektivat e njëjtë që ne kemi, si dy vende të pavarura, kanë nevojë për vështrim të përbashkët, për çështje të interesit të ndërsjelltë. Ashtu si investimi madhor Durrës-Kukës-Prishtinë dhe dhënia në administrim e Portit të Shëngjinit, Qeverisë së Kosovës, dëshmon për një sinergjizim të politikave ekonomike të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, si detyrime politike ndaj interesave të përbashkëta të kombit si një tërësi dhe të komplementaritetit (plotësimit) në ekonomi.
Nga ana e investuesve dhe e qeverive kosovare, kjo ide ka gjetur përparësi dhe shumë sipërmarrës të rëndësishëm kosovarë janë shprehur të interesuar për të financuar.
Mirëpo, nga ana e qeverive tona është bërë shumë pak, për të mos thënë asgjë, në drejtim të realizimit të paktën të një studimi fizibiliteti për këtë urë të jashtëzakonshme bashkimi dhe bashkëpunimi mes të dyja vendeve tona.
Ka ardhur koha që projekti i modernizimit dhe shndërrimit të Portit të Shëngjinit në një port tregtar për Kosovën të ketë përparësinë e dy qeverive tona, njëlloj si dhe projekti i hekurrudhës Kosovë-Shqipëri. Të dyja projektet do t’i jepnin një shtysë shumë konkrete dhe përmasa të gjera e të panjohura më parë bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe investimeve mes nesh./