Presidenca e Kosovës ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend.
Presidenca thotë se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend.
“Ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRRE”, njoftoi Presidenca.
“Presidenca po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në vend, të cilat paralajmërojnë një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike. Sipas raporteve të ZRrE-së, pritet një rritje mesatare prej 15% për tarifat e konsumatorëve, duke filluar nga muaji prill. Ky vlerësim fillestar është bazuar në propozimet e dorëzuara nga kompanitë e rregulluara, si dhe vendimet për të Hyrat e Lejuara Maksimale për periudhën rregullative 2023-2027 për OST/OT dhe OSSH”.
Presidenca tha se megjithëse synimi është që të rritet siguria dhe furnizimi me energji gjatë vitit 2025, në përputhje me nevojat energjetike të vendit, rritja e çmimit të energjisë elektrike po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg.
“Ky veprim do të mund të shkaktonte një valë të re të inflacioni në vend, si dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve”./Express/