Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, i është kundërpërgjigjur trajnerit Antonio Conte pas deklaratave të tij që shkaktuan polemika. “Kjo mund të krijojë shqetësim,” tha ai.
Ka pasur disa raportime që sugjeronin se Conte ishte i zhgënjyer nga situata në Napoli – që nga largimi i Khvicha Kvaratskhelias drejt Paris Saint-Germain në mes të sezonit, pa një zëvendësues të denjë, e deri te problemet me ambientet stërvitore.
Ai e la të nënkuptohej këtë në konferencën për shtyp të së premtes, ku u shpreh: “Në këto tetë muaj në Napoli, kam kuptuar se ka shumë gjëra që thjesht nuk mund të bëhen.”
Tani, De Laurentiis është kundërpërgjigjur me deklarata të tij dhe ka kritikuar trajnerin për prishjen e atmosferës gjatë garës për titull.
“Vlerësime të tilla gjatë procesit mund të krijojnë shqetësim, prandaj është gjithmonë më mirë t’i ruash ato për në fund,” tha presidenti për Radio Crc, sipas “La Gazzetta dello Sport”.
“Të gjitha skuadrat e futbollit janë në një proces evolucioni deri në fund: e vetmja skenar që nuk mund të shkruhet paraprakisht është ajo e një ndeshjeje futbolli dhe sezoni përreth saj. Kemi një skuadër të fortë dhe fizike, do të argëtohemi shumë në vitet e ardhshme.”
Frustrimi lidhet edhe me planet për të rindërtuar stadiumin e vjetër “Stadio Diego Armando Maradona”.
“Nëse do të braktisja stadiumin Maradona, do të krijoja një problem të madh për kryetarin e bashkisë. Ai po jep maksimumin për të bërë verifikimet e nevojshme, por ka probleme jo vetëm në tribunën e tretë,” shtoi De Laurentiis.
“Duhet të kuptojmë nëse struktura është ende nga viti 1959 dhe u përmirësua në vitin 1990 – a mund të përballojë punime të mëtejshme? A mund të ndërtojmë 100 dhoma VIP dhe 70.000 vende për të qenë konkurrues me klubet e veriut? A mund ta bëjmë pamjen nga çdo vend të qartë?”
Një nga planet është heqja e pistës së atletikës që i mban tifozët larg fushës.
De Laurentiis, një producent filmash që shpëtoi Napolin nga falimentimi dhe e ngjiti nga Serie C në titullin e Serie A, ka krijuar edhe një dokumentar për triumfin me Luciano Spallettin.
“Filmi për Scudetton ishte i suksesshëm, dhe mendova: pse të mos tregojmë çdo sezon të Napolit në këtë mënyrë? Kështu, që nga nënshkrimi i Contes në zyrën time, te grumbullimi para-sezonal dhe gjithçka tjetër, po ndërtojmë filmin e këtij sezoni që shpresoj ta shfaqim në kinema në qershor, pastaj jam duke diskutuar me platformat streaming.”/GazetaExpress/
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...