Kryeministri Edi Rama theksoi se platforma e-Albania ka kursyer 620 milionë euro për qytetarët shqiptarë.
“Pashë një audit dhe janë kursyer 620 milionë euro, 75 milionë fletë letre dhe koha e kursyer është 25 mijë rrotullime rreth Tokës”, deklaroi Rama në një aktivitet ku u prezantuan fituesit e Startup Grant 2024, një nismë që mbështet startup-et shqiptare.
Ai gjithashtu njoftoi një projekt me Microsoft për të krijuar një sistem të ri për Prokurimet Publike, i cili do të jetë funksional deri në fund të 2026-s, pa pjesëmarrjen e njeriut.
“Po punojmë me Microsoft për një model të Prokurimeve Publike pa pjesëmarrjen e njeriut. Më pas Komisioni certifikon rezultatin. Po përpiqemi me Microsoft të bëjmë një model që bën të gjithën, shpresojmë ta kemi gati deri në fund 2026. Brenda pak kohe e-Albania do të kalojë në një tjetër nivel. Diella do të bëjë të gjithë shërbimin. Kjo gjë do të realizohet me kërkesë, do t’i thuhet Diellës quhem filani dhe gjithë punën do ta bëjë asistenti virtual. Ne po krijojmë potencial të madh këtu brenda me ju dhe të tjerë si ju që mund të na japin një dorë në zhvillimin e mëtejshëm të proceseve të qeverisjes, duke përdorur bazën tonë të të dhënave.”, shtoi kryeministri.