I pari i FSHF-së, Armand Duka në “Favorit” ka folur edhe për problemet e fundit me bileta dhe me tifogrupet që e përkrahin kombëtaren shqiptare.
Ai ka thënë se FSHF-ja ka vendosur të instalojë një sistem digjital për bileta, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të barabarta për t’u pajisur me to.
“Ne kemi vendosur politikat tona si organizatorë për shpërndarjen e biletave dhe këtë gjë e kemi deklaruar publikisht që kemi instaluar sisteme kompjuterike digjitale për shpërndarjen apo shitjen e tyre, i cili lejon çdo individ të prenotojë jo më shumë se katër bileta dhe kjo është respektuar dhe nuk i është mohuar e drejta askujt dhe as nuk i është dhënë privilegji”, tha ai.
Ai tha se tifogrupet, si “Tifozat Kuqezi” e të tjera kërkojnë bileta të rezervuara, sikur më herët, që ka qenë një traditë.
“Diskutimi këtu është se gruptimi i tifozëve Kuq e Zi apo edhe ndonjë grup tjetër, kërkon që të ketë bileta të rezervuara dhe siguruar nga FSHF-ja, sepse kjo ka qenë realisht dhe tradita e mëparshme se si është vepruar. Ne mendojmë se është më mirë që çdo njeri të ketë shanse të barabarta, duke pasur parasysh dhe rritjen e kërkesës për të mbështetur ekipin kombëtar në stadium dhe nuk ia mohojmë të drejtën askujt që të blejtë bileta, qoftë ai edhe grupi i tifozëve, të cilët ofenduan dhe shanë në stadium, në ndeshjen kundër Andorrës”, përfundoi Duka./GazetaExpress/