string(133) "profesoresha-kontroverse-karakamisheva-me-mision-patriotik-kryetare-e-grupit-punues-qe-merret-me-ligjin-e-ri-per-perfaqesim-te-drejte"

Maqedoni

Gazeta Express

26/04/2025 10:52

Profesoresha kontroverse Karakamisheva me ‘mision patriotik’, kryetare e grupit punues që merret me ligjin e ri për përfaqësim të drejtë

Maqedoni

Gazeta Express

26/04/2025 10:52

Tanja Karakamisheva është kryetare e grupit punues që po merret me përpilimin e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pas shfuqizimit të “Balancuesit” në Gjykatën Kushtetuese. Karakamisheva është profesoreshë universitare e cila ka pasur shumë angazhime akademike, e përcjellur me po aq kundërthënie dhe polemika në qëndrimet e saj politike, sidomos kur bëhet fjalë për pozitën e çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në këtë grup punues ka dhe shqiptarë. Nga propozimi deri te zbatimi në praktikë i këtij ligji, procesi është i gjatë dhe madje mund të kalojnë dhe vite, shkruan Portalb.mk.

Siç mëson Portalb.mk, zëvendësministrat shqiptarë në qeverinë e Hristijan Mickoskit, Izet Mexhiti dhe Arben Fetai ia kanë besuar Tanja Karakamishevës pozitën e kryetares së grupit punues që përpilon ligjin për përfaqësim të drejtë, e cila përbëhet nga: Aleksandat Spasenovski, Denis Preshova, Jeton Shasivari dhe Mersim Maksuti. 

Lexo Edhe:

Kush është Tanja Karakamisheva? 

Tanja Karakamisheva është profesoreshë universitare, eksperte e të drejtës kushtetuese, pranë Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë” në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi”, në Shkup. Anëtare e Komisionit të Venedikut, organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese, duke përfaqësuar Republikën e Maqedonisë së Veriut në periudhën 2016-2020, dhe më parë ka shërbyer si anëtare zëvendësuese nga viti 2008 deri në 2012. Anëtare e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (1999-2001).  Në aspektin e kërkimit dhe zhvillimit profesional, ajo ka mbajtur bursa kërkimore nga Fondacioni Shoqëria e Hapur Kosovë, Think Visegrad Fellowship, Fondacioni Shoqëria e Hapur Shqipëri dhe Instituti i Demokratëve Evropianë. 

Profesoresha Tanja Karakamisheva nuk është eksperte e pavarur. Ajo është e partizuar dhe mbrojtëse e politikave të VMRO-DPMNE-së. Në vitin 2018 Karakamisheva u zgjedh kryetare e komisionit për Sistem Politik në VMRO DPMNE

Karakamisheva ishte zgjedhur shkencëtare e vitit, në vitin 2015, derisa ishte anëtare e komisionit që e propozoi. Lajmi pati bërë bujë në opinion. Karakamisheva kishte thënë fillimisht se ishte larguar nga komisioni derisa është vendosur për propozimet, por duke argumentuar se kishte të drejt të kandidohej për këtë titull, sepse nuk ekziston ndonjë ndalesë për një gjë të tillë. 

Karakamisheva ishte tejet e zëshme edhe kundër Marrëveshjes së Prespës. Ajo madje edhe në kushtetuese kishte kërkuar shfuqizimin e Marrëveshjes së Prespës. Ndryshe, Marrëveshja e Prespës është ngjarja më e rëndësishme që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, e cila zgjidhi një kontest 27 vjeçar për çështjen e emrit, pasi që Greqia pretendonte se emri dhe flamuri i shtetit janë simbole greke dhe se në të ardhmen Maqedonia mund të ketë pretendime territoriale ndaj një rajonit të saj, e cila gjithashtu quhet Maqedoni. Sipas kësaj marrëveshje, Maqedonia e ndërroi emrin e saj dhe e bëri Maqedonia e Veriut, me çka vendi edhe zyrtarisht hapi rrugën drejt anëtërësimit të plotë në NATO. 

Karakamisheva, si kryetare Komisionit për Sistemin Politik të VMRO-DPMNE u angazhua për “dështim të referendumit” dhe publikisht u perceptua si zëdhënëse e bojkotit të referendumit si “vetpërcaktim”. Ditën e referendumit, Karakamisheva agjitonte “NUK VOTOJ dhe nuk po i përgjigjem pyetjes gjenocidale”, dhe më vonë avokoi publikisht për anëtarësim në Bashkimin Euroaziatik, sepse sipas saj: “kjo është e ardhmja e botës”. Retorika e këtillë ishtë cilësuar si anti Bashkimit Evropian dhe pro Rusisë. Asokohe, në Maqedoni, një numër i madh i protagonistëve politik ndërkombëtar dhe veçanërisht liderë të vendeve të BE-së dhanë mbështetje për opsionin “Për”, në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen mes Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”. 

Karakamisheva ka ditur shpesh t’i ngacmojë edhe shqiptarët me komentet e saj. Më e njohura është, kur në Facebook pretendoi se shqiptarët përbëjnë 16.7% të popullsisë, duke u bazuar në numrin e shtetësive të dhëna. Eksponentë të ndryshëm politik në Maqedoninë e Veriut kur duan t’i relativizojnë kërkesat e shqiptarëve tentojnë të vendosin vija të kuqe në prezencën e tyre në institucione. Ndërkaq, kujtojmë se sipas Regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 29.52% shqiptarë.

Një tjetër rast kur Karakamisheva ka shprehur qëndrimin e saj publikisht, e është spikatur qëndrimi anti-shqiptar,  ishte në lidhje me fjalimin e Talat Xhaferit në Parlamentin Evropian. Ajo e kritikoi Xhaferin për përdorimin e gjuhës shqipe në fjalimin e tij, duke ia bërë me dije se “shqipen mundet ta përdorë vetëm në shtëpinë e tij”.

Luftën e saj kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk e ka ndalur në asnjë moment. Roli i Tanja Karakamishevës si anëtare e Komisionit të Venedikut ka qenë veçanërisht i theksuar në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo njihet për qëndrimet e saj kundër këtij ligji, i cili ka të bëjë kryesisht me gjuhën shqipe. 

Sa mundet të kontribuojë Tanja Karakamisheva, në ligj ku shqiptarët do të jenë të mbrojtur për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mbetet të shihet. Parimisht, në të besim kanë vetëm ata që ia kanë dhënë detyrën patriotike. 

Kur do ta sheh dritën zgjidhja ligjore? 

Portalb.mk ka tentuar të kontaktojë me Karakamishevën, por edhe me anëtaret tjerë për detajet rreth përpilimit të zgjidhjes ligjore që do të zëvendësojë “Balancuesin”, mekanizmin që deri më  9 tetor 2024 ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore, por nuk kemi marrë përgjigje zyrtare nga to. 

Jozyrtarisht, Portalb.mk mëson se grupit punues nuk e ka për obligim të prononcohet gjatë procesit të përpunimit të ligjit, dhe se për të njëjtën detyrë përgjegjës janë përfaqësuesit politik, bartësit e procesit, zëvendësministrat Arben Fetai dhe Izet Mexhiti. Por, nga të njëjtit, deri më sot dëgjojmë refrenin “jemi në fazën finale”

Kryeministri Hristijan Mickoski seancën e fundit parlamentare ku në rend dite ishin pyetjet e deputetëve, në pyetjen se kur do të sheh opinioni draftin e parë të ligjit, nuk dha përgjigje konkrete por u fokusua në fjalorin që mund t’i sjellë një pikë politike më tepër, duke veçuar përkushtimin e tij për përfaqësim të vërtetë për të gjitha bashkësitë etnike. 

“Unë mund t’ju them se do të ketë ligj për përfaqësim të drejtë. Unë personalisht do ta nxjerr këtu dhe do ta mbroj personalisht. Do jetë kushtetues dhe do të garantojë përfaqësim të vërtetë të drejtë të të gjitha bashkësive etnike. Ndërsa, në ndërkohë unë garantoj për përfaqësim të drejtë, ja ta dini se askush nuk do të ndihet i diskriminuar. Rrini të qetë, ligji do të vijë këtu. Unë isha ai që bashkë me kolegët e mi në qeveri thamë se nuk do t’i bëjmë gabimet e së shkuarës, kur ligjet miratoheshin pa marrë parasysh kushtetutshmërinë ose kur ligjet miratoheshin në mënyrë të çuditshme, që sot të lë hapësirë për teza politike”, tha Mickoski. 

Kujtojmë se, ligjin ka të drejtë ta propozojë ndonjë deputet, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ose së paku 10 000 zgjedhës (propozues të autorizuar.) 

Procedura e miratimit të ligjeve është e rregulluar me Rregulloren e punës të Kuvendit. Në përputhje me Rregulloren  propozuesit e autorizuar propozim-ligjin ia dërgojnë Kryetarit të Kuvendit i cili menjëherë ose më së voni brenda tre ditëve të punës nga paraqitja ua shpërndan deputetëve në formë të shkruar ose elektronike, me çka fillon procedura ligjvënëse. 

Në përputhje me Rregulloren, procedura ligjvënëse zhvillohet me tre lexime. Ligji mund të miratohet me procedurë urgjente, por edhe me procedurë të shkurtuar. Ligjet shpallen me dekret, të cilat i nënshkruan Presidenti i Republikës dhe Kryetari i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, menjëherë pas miratimit, ligjin ia dërgon Presidentit të Republikës për nënshkrim të dekretet për shpalljen e ligjit. Para se të hyjnë në fuqi ligjet botohen në “Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”. Ligjet botohen më së voni në afat prej shtatë ditësh nga dita e miratimit të tyre. 

Megjithatë, derisa t’i kalojë të gjithë fazat, Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat mund të vonojë edhe më shumë se një vit sepse duhet të kalojë dhe filtrin e Komisionit të Venedikut. 

Kujtojmë se, derisa politikanët bëjnë lojëra fjalësh, e punët e pakryera i shndërrojnë në arenë për t’i qëruar hesapet mes vete dhe për të fituar pikë politike në kampet e veta, shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut s’ka mekanizëm juridik që i mbron nga majorizimi gjatë punësimeve. Partneri shqiptar në koalicionin qeverisës, VLEN që nga ardhja në pushtet siguron se po punohet në ligj që do jetë më i mirë se “Balancuesi”. 

Heqja e balancuesit ka krijuar një vakum ligjor, gjë që e ka brengosur edhe Avokatin e Popullit, Naser Ziberi, i cili i bëri apel qeverisë që të dorëzojë urgjentisht ndryshimet ligjore në parlament.

Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”.