Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha paraqitisot programin e PD-së për ‘Shqipërinë Madhështore’, për sektorin e Mjedisit, Pyjeve dhe Kullotave.
Në fjalën e tij, Berisha tha se, “mjedisi, me të cilin lidhet direkt shëndeti i njeriut, është më i braktisur, më i kërcënuar se rrallë ndonjëherë në histori. Mjedisi është sot i tëri i dominuar, i manipuluar, i dëmtuar nga interesa kryekëput mafioze të klientelës qeveritare”.
“Shqipëria, që për disa rrethana mund të kishte mjediset më të lakmueshmet në Europë, ka kryeqytetin, njërin nga 10-12 qytetet më të ndotura të planetit”, theksoi Berisha.
“Verën e kaluar ne nuk kishim pothuajse asnjë flamur blu në detërat dhe liqenet tona”, tha Berisha, megjithëse shtoi ai, “ne ndërtuam 11 impiante të përpunimit të ujërave të zeza dhe po shkonim faktikisht drejt bllokimit të tërë të derdhjes së ujërave të zeza në det, ato korrupsioni i ka kyçur. Bashkitë nuk i vënë në funksion. Nuk paguajnë energjinë për funksionimin e tyre”.
Pra, shtoi ai, “mjedisi, pyjet dhe kullotat përbëjnë një emergjencë kombëtare”.
Duke prezantuar programin e PD për mjedisin, Berisha tha se “projekti ynë ka një synim, vendosjen e standardeve më të mira evropiane”.
Standarde, që sipas tij, “synojnë një mjedis të shëndetshëm, një mjedis të pastër, një mjedis të monitoruar, një mjedis të zhvilluar”.
“Kompleksi mjedisor, faktorët që bashkëveprojnë në mjedisin, do të marrin të gjithë vëmendjen dhe angazhimin”, tha Berisha.
“Nuk ka dyshim se pyllëzimi real do jetë një drejtim qendror. Pyllëzimi do të gërshetohet me mbjelljen e drurëve frutorë. Por kjo nuk do të thotë se do hiqet dorë nga mbjellja e drurëve të tjerë nativë për zonat ku ato janë”, theksoi ai.
“U shkatërrua e tëra infrastruktura e mbrojtjes së pyjeve. U shkatërrua e tëra infrastruktura e kullotave. Rindërtimi i institucioneve të këtyre fushave, veprimtaria e tyre në përputhje me standardet evropiane, do jetë zotimi ynë para shqiptarëve”, nënvizoi Berisha.