Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka marrë aktvendim për nisjen e hetimeve dhe ka kërkuar caktim të masës së paraburgimit ndaj katër shtetasve serbe – B.R., N.V., P.K. dhe M.S.. Ata dhe disa persona tjerë që u ndaluan në Prizren, sipas ministrit Sveçla, dyshohen se “kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë “ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datë 05.04.2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët Nr. 05/L-022, neni 2 pika 1.24, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sopatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”.
Ata dyshohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.