Një bakter helmues potencialisht vdekjeprurës, i zbuluar te mishi i pulës, mund të jetë duke ndikuar në rritjen shqetësuese të rasteve të kancerit të avancuar të zorrës së trashë, sugjeron një hulumtim i ri.
Ndërsa mishi i kuq dhe mishi i përpunuar janë lidhur më parë me rritjen e rrezikut për këtë sëmundje, shpendët, deri më tani, ishin konsideruar një burim më i sigurt i proteinave. Por studime të hershme tregojnë se një lloj i zakonshëm i bakterit campylobacter mund të përshpejtojë përparimin e kancerit të zorrës së trashë përmes dëmtimit të ADN-së.
Campylobacter është burimi më i zakonshëm i helmimeve ushqimore, shpesh i gjetur në pulën e papërpunuar. Zakonisht shkakton diarre, të përziera dhe të vjella që kalojnë natyrshëm brenda një jave.
Megjithatë, në raste të rënda, mund të jetë vdekjeprurës për grupet vulnerabël, si fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët.
Edhe pse studimi nuk arriti të vërtetojë në mënyrë përfundimtare se bakteri është përgjegjës për rritjen e rasteve me kancer, studiuesit paralajmëruan se campylobacter mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për publikun.
Në të njëjtën kohë, shkencëtarë italianë zbuluan javën e kaluar se konsumimi i shpeshtë i pulës mund të dyfishojë rrezikun e vdekjes nga 11 lloje të ndryshme të kancerit, përfshirë atë të zorrës së trashë dhe stomakut.
Sipas tyre, personat që konsumojnë mbi 300 gramë mish pule në javë (rreth katër racione) kishin dyfishin e rrezikut për të vdekur nga një kancer i sistemit tretës krahasuar me ata që hanin më pak se një racion në javë.
Kanceri i zorrës së trashë, dikur i konsideruar si një sëmundje e moshës së thyer, tani po godet gjithnjë e më shumë të rinj në të 20-at, 30-at dhe 40-at, një fenomen që ka hutuar mjekët në mbarë botën.
Në studimin e ri, studiues amerikanë monitoruan mbi 70 pacientë me këtë sëmundje dhe krahasuan nivelet e campylobacter jejuni në sistemin e tyre tretës. Gjatë një ndjekjeje trevjeçare, ata gjetën nivele më të larta të bakterit tek 34 pacientë të cilëve u ishte përhapur kanceri në pjesë të tjera të trupit, krahasuar me 37 pacientë të tjerë ku nuk kishte pasur përhapje.
Në revistën Cell Host & Microbiome, autorët shkruajnë se toksina cytolethal distending toxin (CDT), e pranishme në shumë shtame të campylobacter jejuni, mund të jetë përgjegjëse për përshpejtimin e zhvillimit të kancerit përmes dëmtimit të ADN-së.
Profesori Christian Jobin, ekspert i mikroorganizmave kancerogjenë në Universitetin e Floridës dhe bashkautor i studimit, tha:
“Këto gjetje konfirmuan se CDT është esencial për rolin e bakterit në nxitjen e përhapjes së kancerit. Kur bakteret që prodhojnë CDT migrojnë drejt tumoreve jashtë zorrëve, ato duket se përshpejtojnë përhapjen e tyre.”
Testime të kryera te minjtë me inde njerëzore të kancerit të zorrës së trashë konfirmuan gjithashtu se CDT përshpejton përhapjen e tumoreve.
Megjithatë, nevojiten studime shtesë te njerëzit për të konfirmuar këtë lidhje të drejtpërdrejtë.
Të dhënat më të fundit nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë se rastet laboratorike të konfirmuara me campylobacter janë rritur me 27 për qind nga viti 2022 deri në 2024.
Supermarketet në Britani janë të detyruara të raportojnë çdo tre muaj nivelin e kampilobakterit në produktet e tyre të pulës për autoritetet e Agjencisë së Standardeve Ushqimore (FSA).
Pula konsiderohet e kontaminuar kur ka më shumë se 1,000 njësi bakteriale për gram (CFU/g), çka e rrit rrezikun për helmim ushqimor.
Sipas FSA, kostoja ekonomike e campylobacter arrin rreth 900 milionë £ në vit, përfshirë shpenzimet për trajtimet në NHS dhe ditët e humbura në punë.
Për të shmangur helmimin ushqimor, rekomandohet:
Gatimi i plotë i mishit të pulës;
Ndarja e mishit nga ushqimet e tjera;
Ruajtja në frigorifer;
Larja e duarve dhe enëve pas prekjes së mishit të papërpunuar;
Ndalohet larja e mishit të pulës, pasi mund të shpërndajë bakteret në kuzhinë.
Ndërkohë, shkencëtarët italianë theksojnë se proteinat e pulës, kur ekspozohen ndaj temperaturave të larta gjatë gatimit, mund të krijojnë kimikate të dëmshme për qelizat njerëzore, duke shkaktuar ndryshime që mund të çojnë në kancer.
Gjithashtu, ata ngritën dyshime se faktorë si ushqimi i pulave, përdorimi i hormoneve apo i medikamenteve mund të ndikojnë në rrezikshmërinë për shëndetin.
Hulumtime të tjera të fundit kanë sugjeruar gjithashtu një lidhje midis infeksioneve të tjera bakteriale dhe rrezikut për kancer të zorrës së trashë, përfshirë Helicobacter pylori, Fusobacterium nucleatum dhe disa lloje të E. coli.
Një tjetër hulumtim shqetësues i javës së kaluar tregoi se E. coli, nëpërmjet toksinës colibactin, mund të jetë pjesërisht përgjegjëse për rritjen e rasteve të kancerit të zorrës së trashë te të rinjtë nën moshën 50 vjeç.
Në këtë studim, ADN-ja e 981 tumoreve të zorrës së trashë nga pacientë në 11 vende u analizua, duke zbuluar gjurmë të kësaj toksine kryesisht te pacientët nën 40 vjeç.
Një tjetër shqetësim është rritja e infeksioneve me një lloj të rrallë të E. coli të lidhur me sallatat e kontaminuara, me një rritje gati dhjetëfish në Angli gjatë shtatë viteve të fundit.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike, raportimi më i kujdesshëm nga spitalet dhe rritja e grupeve vulnerabël mund të jenë ndër faktorët kryesorë pas kësaj rritjeje.
Gjithashtu, shtimi i konsumit të sallatave dhe sanduiçeve të gatshme mund të ketë ndikuar, pasi studimet tregojnë se zarzavatet me gjethe janë përgjegjëse për gjysmën e shpërthimeve të E. coli. /GazetaExpress/