TIRANË – Partia Socialiste ka vendosur që çelja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të zhvillohet më 12 prill, në sheshin “Skënderbej”. Burime nga brenda forcës politike konfirmojnë se kjo datë është përzgjedhur me një simbolikë të qartë: 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian, si mesazh për fokusin kryesor të fushatës së kryeministrit Edi Rama – integrimin europian të Shqipërisë.
Ndërsa fushata elektorale nis zyrtarisht më 11 prill, PS do ta shfrytëzojë atë ditë për të zhvilluar takime masive në çdo qark me gratë dhe vajzat, në përputhje me një strategji të ndërtuar mbi sondazhet e brendshme të partisë. Sipas këtyre të dhënave, mbështetja nga elektorati femëror llogaritet në 65-70%, duke e kthyer këtë segment në një shtyllë të rëndësishme të fushatës.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka njoftuar se do të hapë zyrtarisht fushatën më 11 prill, në orën 19:00, duke e nisur garën me një ditë përpara rivalëve socialistë.