BE-ja e ka lënë Kosovën në rreshtin e fundit, të paktën kështu po vlerëson mediumi i njohur ‘The Times’, në një artikull ku thuhet se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të çështjes së Brexitit, ose largimit të Britanisë së Madhe nga Unioni.
Premtimi i Bashkimit Evropian për një përfshirje sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit, ka bërë që këto të fundit të “ëndërrojnë” për shërimin e plagëve që morën si vende nga luftërat jugosllave.
Kroacia iu bashkua në vitin 2013, Serbia dhe Mali i Zi janë në procesin e negociatave, ndërsa Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut e kanë fituar statusin e kandidatit.
Sidoqoftë, vendi tjetër, Kosova, nuk po qëndron larg BE-së për shkak të ‘rivalëve regjionalë’, por për shkak të një problemi që qëndron më shumë 1500 kilometra larg Londrës.
Siç shkruan ‘The Times’, Britania e Madhe ka qenë kampioni më i madh i këtij vendi të vogël në Ballkan, që prej kur mori pjesë në intervenimet e NATO-s e deri te njohja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, një prej vendeve të para që e bëri këtë.
Por, sot Kosova bashkë me Bosnje e Hercegovinës janë në ‘rreshtin e fundit’ për t’iu bashkuar BE-së, pavarësisht se kanë filluar programe të veçanta që institucionet e tyre, t’u afrohen standardeve bazike të Bllokut.
Rreth kësaj çështje për mediumin e njohur anglez ka folur edhe Ministri i Jashtëm në Detyrë, Behgjet Pacolli, sipas tij, Kosova nuk është primare për BE-në, pasi në vend të parë vjen Brexit.
“Rajoni ynë është i vogël, në proces të integrimit. Ka nevojë për përkrahje çdo ditë. Por, vëmendja e BE-së nuk është më këtu. Ne kemi pasur njerëz të profilit të lartë që kanë ardhur në Ballkan çdo ditë. Por në një mënyrë, pas Brexitit, u bëmë sekondarë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se rreth një muaj më parë, Bashkimi Europian, saktësisht Presidenti Emmauel Macron dhe vendi i tij Franca, i dhanë një bllokadë të madhe Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke mos hapur negociata me to, pasi që sipas tij, vendet ende nuk janë të gatshme.
Kjo sikur ka dhënë një përgjigje negative jo vetëm për këto dy vende, por ka ‘ngrirë shpresat’ edhe te shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe efektet, po ndihen edhe në Kosovë. /gazetametro.net