string(117) "publikon-fotografi-me-ruto-osmani-pergjate-viteve-e-kam-takuar-disa-here-njohja-e-ka-qene-teme-kryesore-e-diskutimeve"

Publikon fotografi me Ruto, Osmani: Përgjatë viteve e kam takuar disa herë “njohja e ka qenë temë kryesore e diskutimeve”

Lajme

Gazeta Express

26/03/2025 15:57

Republika e Kenias ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës.

Lajmi u dha fillimisht nga ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili tha se “në një ceremoni të jashtëzakonshme” në kryeqytetin Nairobi, Kenia e njohu Kosovën shtet sovran e të pavarur.

Lexo Edhe:

Pacolli tha se ka disa vite që lobon personalisht për këtë njohje duke shkuar “derë më derë”.

Pa vonuar shumë, presidentja Vjosa Osmani konfirmoi lajmin, jo pa marrë pak merita. Ajo tha se shkresa zyrtare e Kenias i kishte shkuar në Presidencë me vendimin e nënshkruar nga presidenti i Kenias, William Rute.

Ajo publikoi një fotografi me Ruton në një nga takimet që kishte pasë me të, duke thënë se temë kryesore të diskutimeve e kishin njohjen e Kosovës.

“Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të, dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë”, tha Osmani.

Osmani më pas falënderoi edhe Pacollin për kontributin e tij në këtë proces.

“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”, tha Osmani.

Pacolli e quajti njohjen nga Kenia si “fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë”.

“Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, tha Pacolli./Express/