Pushimorja “Ganimete Tërbeshi, MD përzgjedh avokatin që do ta përfaqësojë Kosovën në kontestin me Malin e Zi - Gazeta Express
string(106) "pushimorja-ganimete-terbeshi-md-perzgjedh-avokatin-qe-do-ta-perfaqesoje-kosoven-ne-kontestin-me-malin-e-zi"

Pushimorja “Ganimete Tërbeshi, MD përzgjedh avokatin që do ta përfaqësojë Kosovën në kontestin me Malin e Zi

Lajme

Gazeta Express

02/07/2024 14:26

Ministria e Drejtësisë ka përzgjedhur, përmes procedurës së negociuar, avokatin që do të përfaqësojë Kosovën në kontestin gjyqësor me Malin e Zi, për kthimin e të drejtës së pronësisë për pushimoren “Ganimete Tërbeshi”, që ndodhet në qytezën Rafailloviq, pranë Budvës.

Kosova do të përfaqësohet në këtë proces gjyqësor nga avokati Rados Lolo Kastrotoviq. Vlera e kontratës është 84 mijë e 700 euro, me kohëzgjatje për tri vite, raporton Express.

Lexo Edhe:

Padia ishte dorëzuar nga autoritetet e Kosovës në fund të vitit 2020, por ishte bërë publike tek në qershor të vitit 2021, kur kishin filluar të raportonin mediat malazeze.

Në raportimet e atëhershme të mediave malazeze, thuhej se Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka ngritur padi kundër Komunës së Budvës, në Mal të Zi dhe kompanisë “Sunraf Beach Areas”, duke kërkuar kthimin e 4 mijë e 500 metrave katërorë tokë në shëtitoren “Rafailoviq”, vend ku dikur ishte vendosur një vendpushim për fëmijë.

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës, Sami Istrefi, kishte deklaruar atëherë se prona ishte blerë gjashtë dekada më parë.

Në kohën kur ishte bërë publike ngritja e padisë, profesori i së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kishte thënë se Kosova nuk mund të kërkojë pronë në Mal të Zi, sepse nuk ka bazë ligjore për këtë.

“Unë nuk mund të besoj se dikush në Kosovë mund të këshillojë Ministrinë tonë të Drejtësisë që të nisë diçka të tillë…Nuk ka kurrfarë baze për një gjë të tillë, sepse kjo nuk është një marrëdhënie privato-juridike. Qeveria e Kosovës, e as shteti i Kosovës, i cili është shpallur më 17 shkurt, 2008, nuk janë pasardhës privatë të së ashtuquajturës SAP Kosova [Krahina Socialiste Autonome e Kosovës dhe Metohisë]. Për të qenë edhe më i sinqertë, kjo që ka ndodhur është turp, sepse Kosova ka avokatë normalë që i dinë gjërat më themelore juridike”, kishte deklaruar Hasani.

Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kishin deklaruar për Gazetën Express se Kosova ka edhe 163 prona të tjera jashtë vendit, që përfshijnë hotele, toka, ndërtesa administrative, lokale, depo, zyra e fabrikë

“Sipas të dhënave që ka Agjencia Kosovare e Privatizimit, në bazë të deklarimeve të ish-menaxhmenteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe në bazë të dokumentacionit të siguruar, AKP i ka në evidencën e saj 163 prona shoqërore që ju përkasin Ndërmarrjeve Shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore jashtë vendit shumica janë lokale dhe zyra”, kanë dekruar nga AKP’ja.