Pushteti i zemëruar me Kushtetuesen pas rrëzimit të disa ligjeve, thonë se do ta “shkruajnë” përsëri Byronë - Gazeta Express
string(104) "pushteti-i-zemeruar-me-kushtetuesen-pas-rrezimit-te-disa-ligjeve-thone-se-do-ta-shkruajne-perseri-byrone"

Pushteti i zemëruar me Kushtetuesen pas rrëzimit të disa ligjeve, thonë se do ta “shkruajnë” përsëri Byronë

Lajme

Gazeta Express

27/06/2024 11:54

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dje edhe një goditje Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti duke e  shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kushtetuesja bëri të qartë se pesë nene të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Vendimi nuk u mirëprit aspak mirë nga pushteti. Madje ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu akuzoi gjyqtarët e Kushtetueses për shërbim ndaj “nomenklaturës së vjetër”. Zyrtarë të lartë të VV-së deklaruan të bindur se Byroja do të bëhet pavarësisht vendimit të djeshëm.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Pushteti nuk e priti aspak mirë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Menjëherë filluan akuzat në drejtim të gjyqësorit. Ishte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ajo që tha se me këtë vendim, Kushtetuesja po i shërben “nomenklaturës së vjetër”.

Ajo u zotua se “byroja do të bëhet dhe se pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet”.

“Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, shkroi Haxhiu në profilin e saj në Facebook, pas publikimit të vendimit nga Kushtetuesja.

Edhe zëvendësi i Haxhiut, Blerim Sallahu qe i ashpër me gjyqtarët e Kushtetuese. Ai i u shpreh i bindur se Byroja do të bëhet, teksa shtoi se e kanë gabim ata që mendojnë se mund ta ndalojnë Vetëvendosjen.

“Nëse mendoni që do të na stoponi e keni shumë shumë gabim. VETËVENDOSJE! jemi NE. Kuptone drejt dhe qartë. Menjëherë do të fillojmë me plotësimin e dëshirave (të cilat nuk janë të tyre) të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të bëhet”, tha Sallahu.

Zëvendësministri tjetër i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, tha se nuk ka forcë apo interes që do i ndalë në siç e quan ai realizimin e “kontratës të Qeverisë me qytetarët e Kosovës”.

“Sot, Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues në tërësinë e tij, Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Rreth 485 ditë ju deshën Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim të përçudshëm, që bie ndesh, jo vetëm me interesin publik, por edhe me praktikat e etabluara të Komisionit të Venedikut. Madje, pesë gjyqtarë të kësaj Gjykate i paskan gjetë “behane” tërë Ligjit, e jo vetëm ndonjë dispozite të tij, siç ndodh zakonisht! Paçka se ky ligj është draftuar me kujdes nga grupe punuese profesioniste – në procedurë standarde që ndiqet me vite të tëra dhe duke pasur parasysh praktikat dhe udhëzuesit e Komisionit të Venedikut”, deklaroi Qorrolli, që dikur synonte të bëhej gjyqtar i kësaj gjykate.

Korit të kritikave për Kushtetuesen iu bashkëngjit edhe deputeti i VV-së, Dimal Basha duke thënë se kjo sjell veç vonim e jo shpëtim.

“Veç vonim, se shpëtim s’ka! Paret e vjedhura duhet me ia kthy atyre që ia keni marrë, popullit!!”, deklaroi Basha.

Opozita: Vendimi i Kushtetueses, fitore e sundimit të Ligjit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri tha se ky anulim i Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është fitore e sundimit të ligjit.

“Anulimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është fitore e Shtetit të së Drejtës përballë përpjekeve të vazhdueshme arbitrare të këtij pushteti për të zëvendësuar drejtësinë që duhet ta japin gjykatat me një byro partiake që do të shkatërronte sigurinë juridike të qytetarëve në emër të “reformës” në drejtësi. Kjo është fitore e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut mbi tendencën për frikësim e shantazh nga pushteti”, tha Tahiri.

Sipas tij, ky ligj është dëshmi që pushtetit aktual më shumë i intereson propaganda sesa shteti ligjor, sepse përndryshe thotë se do t’i zbatonin ligjet që i kanë trashëguar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. 

“Po ashtu, ky Ligj, i rrëzuar sot nga Gjykata Kushtetuese, ishte kundër standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, sepse ishte një kopje e ligjit të Bullgarisë, i cili, vitin e kaluar, u rrëzua nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Falënderoj deputetët e PDK-së dhe ekspertët tanë për punën profesionale në argumentimin e suksesshëm të rastit, si dhe për vendosmërinë që bindjen dhe drejtësinë të mos ia nënshtrojnë propagandës dhe narracioneve populiste”, shkroi Tahiri.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se për shoqëritë demokratike nuk ka gjë më të neveritshme se sa sulmi ndaj sistemit të drejtësisë.

Kështu ka thënë Tahiri pas deklaratave të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e zëvendësit Blerim Sallahu kundër Gjykatës Kushtetuese.

“Për një shoqëri demokratike dhe ku askush nuk është mbi ligjin, nuk ka gjë më neveritëse se sa sulmi ndaj sistemit të drejtësisë dhe kundër Gjykatës Kushtetuese. Seanca e nesërme, siç po e potencon edhe Bashkimi Evropian karakterizohet me tri Ligje që qëllim të vetëm e kanë kapjen e institucioneve të pavarura dhe administratës shtetërore. Ky veprim është i paprecendent dhe antidemokratik!”, është shprehur Tahiri.

Analistët thonë se Qeveria e hartoi keq Ligjin

Juristi Ehat Miftaraj, pas rrëzimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paluajtshme nga Gjykata Kushtetuese, ka thënë se ka fituar një bindje që VV po harton me qëllim keq ligjet që e luftojnë korrupsionin.

“E kam fituar nje bindje se LVV po i harton me qellim keq ligjet qe e luftojne korrupsionin se po tuten per vete se mos iu konfiskohet pasuria e paligjshme. Ose nuk e hartojne Strategjine kunder Korrupsion se mos po zbatohet e njejta ne praktike e po ua prish pazaret. Pese vite ne pushtet, pese vite regres per popullin, mireqenie dhe bollek per njerezit e LVV dhe klienteles se saj.”, tha dje Miftaraj.

Analisti Shkëlzen Gashi është shprehur i tmerruar me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ‘nuk e di si kanë arrit me u bo disa prej tyre anëtarë të Gjykatës Kushtetuese’.

Gashi në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se vendimet e Kushtetueses nuk janë të motivuara nga profesionalizmi, por siç thotë ai, ‘marrin urdhra nga lartë’.

“Unë muj me fol veç në parim, unë kam problem me gjykatën në Kosovë, edhe me Gjykatën Kushtetuese. Sa herë këta e marrin një vendim, nuk jam I bindur që e kanë marrë që janë të motivuar prej profesionalizimit dhe drejtësisë. Këtë përshtypje e kam pas edhe për vendime të tjera, jo vetëm për këtë sot. Edhe kur e kanë marrë vendim për me rrëzu qeverinë Hoti, nuk e kanë bërë prej profesionalizmit por sepse ju ka ardh urdhër prej nalt. E kam edhe përvojë personale me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, nuk janë profesional, unë jam I tmerruar qysh kanë arrit me u bo disa prej tyre anëtarë të Kushtetueses”, ka thënë ai.

Edhe analisti Dukagjin Gorani ka thënë se “Qeveria duke dashur me bë kinse një ligj të mirë, e ka bo një bërllok të madh”, teksa foli për këtë vendim të Kushtetueses.

“Kjo qeveri t’u dasht me bë një gjë kinse të mirë, është shku e ka bë një bërllog aq të madh e është ardhur në situatë që Gjykatë Kushtetuese me ia bankrotu përpjekjen. E në anën tjetër Qeveria e sulmon Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Gorani.

Si përfundoi ky Ligj në Kushtetuese?

Ligji kishte kaluar në Kuvend në shkurt të vitit të kaluar, me votën pro të 66 deputetëve. Disa ditë më pas, Partia Demokratike e Kosovës i ishte drejtuar Kushtetueses për vlerësim të kushtetueshmërisë së këtij ligji.

Ky ligj i ishte nënshtruar dy herë vlerësimeve të Komisionit të Venecias. Nëpërmjet një konferencë te jashtëzakonshme, në qershor të vitit 2022, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishin njoftuar se i kanë pranuar opinionet e Komisionit të Venecias për vettingun në drejtësi e për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.  Ata kishin thënë se kanë marrë mbështetje të plotë në jetësimin e këtyre reformave, pavarësisht se nga Komisioni ishin gjetur mangësi dhe ishin bërë rekomandime që duhen të inkorporohen në draftin final.

Herën e fundit ishte dërguar për vlerësim në nëntor të vitit 2022. Në mars të vitit të kaluar, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se përmes një Opinioni përcjellës, Komisioni sërish ka konfirmuar se Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifkueshme ka adresuar të gjitha komentet e Komisionit.

“Komisioni konfirmon se Ligji ka krijuar garanci për pavarësinë e Byrosë, ka përcaktuar saktë procedurën e verifikimit, dhe ka përmirësuar garancitë e të drejtave të njeriut për subjektet në procedurë, ndër tjerash. Komisioni i Venedikut po ashtu edhe ka lavdëruar nismat legjislative të Qeverisë për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe paratë e fituara në mënyrë të paligjshme”, kishte shkruar Haxhiu.

Pas vlerësimeve nga Komisioni i Venecias, nga partia në pushtet ishin shprehur optimist se Kushtetuesja do të vendosë në favor të tyre.

Në mars të këtij viti, Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, kishte thënë se pavarësisht vonesave, themelimi i Byrosë s’ka alternativë.

“…ne jemi të bindur që themelimi i Byrosë dhe verifikimi i pasurisë dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk ka alternativë, pavarësisht vonesave që po krijon procedimi dhe trajtimi nga Gjykata Kushtetuese”, shton deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Janë adresuar tri rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe se po presin që Kushtetuesja të mundësojë zbatimin e këtij ligji”, kishte deklaruar Rrustemi.

Por frikë se edhe ky ligj do t’i rrëzohet, kishte shprehur kryeministri Albin Kurti, disa javë pasi ligji kishte përfunduar në Kushtetuese.

“Si ta di unë që do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese një ligj që e ka kaluar dy herë Komisionin e Venecias, i cili është dakorduar me SHBA-në, BE-në, Britaninë, me gjithë akterët e shoqërisë civile, dhe nuk mjafton Komisioni i Venecias, por vjen e rrëzohet këtu në Gjykatën tonë Kushtetuese”, kishte deklaruar Kurti. /Gazeta Express/