Qeveria në detyrë e Kosovës sot ka emëruar Irfan Lipovicën drejtor të përgjithshëm në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës, i cili ishte arrestuar për rastin e njohur si rezervat shtetërore.
Propozim-vendimin për emërimin e tij e bëri ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Akreditimi si proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare e vendore duke garantuar kështu që të ofrojë nivel të lartë të cilësisë”, tha ajo në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Hajdari tha se procesi i përzgjedhjes së tij është zhvilluar në mbështetje të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe në rregulloren e Qeverisë.
“Komisioni Vlerësues pas zhvillimet të të gjitha fazave dhe procedurës rekrutuese ka hartuar raportin e përzgjedhjes së kandidatit për pozitën drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akredimit të Kosovës. Andaj bazuar në raportin e lartpërmendur, ju propozoj që në këtë mbledhje të qeverisë të miratoni propozim-vendimit për emërimin e z.Irfan Lipovica”.
Irfan Lipovica ishte arrestuar bashkë biznesmenin Ridvan Muharremi dhe zyrtarin tjetër të MINT, Hafiz Gara.
Lipovica u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ai ishte liruar nga masa e paraburgimit me një vendim të Gjykatës së Apelit në gusht të 2023-ës.
Kurti dhe Hajdari kishin mbrojtur zyrtarët e Ministrisë, duke mohuar se ka pasë keqpërdorim apo korrupsion.
Për këtë rast është ftuar për intervistë edhe Kurti, por deri më tani nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale, duke këmbëngulur që të invervistohet në zyrën e tij./Express/