Qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime në ligjin “për të huajt” për të lehtësuar punësimin e punonjësve të huaj, veçanërisht nga Filipinet dhe Indonezia.
Kjo masë synon të mbushë boshllëkun në tregun e punës, duke lejuar marrëveshje me shtete të tjera për të sjellë punonjës të kualifikuar, sidomos në sektorët e turizmit dhe industrisë.
Ndryshimet përfshijnë mundësinë për të aplikuar për vizë përmes një sistemi elektronik dhe heqjen e kërkesës për depozitimin e një shume parash si garanci. Po ashtu, lejet e punës do të lëshohen në përputhje me kërkesat e tregut dhe nevojat e punëdhënësve.
Qeveria po negocion për të sjellë deri në 40 mijë punonjës nga Filipinet, dhe po shqyrton mundësinë e punësimit të qytetarëve nga Indonezia.
Aktualisht, në Shqipëri punojnë mbi 9 mijë të huaj, kryesisht në sektorë si turizmi, ndërtimi dhe tregtia.