Shumica është stabile, por dera është e hapur edhe për parti tjera, tha deputeti Bekim Qoku nga koalicioni VLEN. I pyetur se a ka gjasa që Ziadin Sela të bëhet pjesë e VLEN-it, ai u përgjigj:
TV21: A e ka Sela derën e hapur në VLEN?
Bekim Qoku: “Në VLEN nuk kisha thënë, por në shumicën parlamentare besoj që çdo parti që vendosë të luftojë korrupsionin, të luftojë të keqen, të bëhet pjesë e ndryshimeve të mëdha, unë besoj se duhet të jetë i mirëseardhur”.
Kryetari i ASH-së Ziadin Sela dje foli për këtë temë më çka tha se nuk e ka ndër mend t’i hyjë aventurës me ndonjë bashkëpunim me koalicionin VLEN, por shtoi se nëse Taravari bashkëngjitet në Frontin Europian, do të ketë qëndrimet e tij për këtë çështje.
Pritet që më 1 maj kryeministri Mickoski të takohet me Taravarin kur edhe pritet të vendoset nëse ASH do të mbetet pjesë e Qeverisë. Për VLEN-in është e papranueshme që dikush që është pjesë e tyre të bashkëpunojë me BDI-në.
“Nuk është kërkuar të largohet nga Qeveria por ne jemi të bindur se çdo subjekt politik brenda familjes VLEN që koketon, bashkëpunon fshehurazi pa dijen tonë, për interesa grupore me BDI dhe me Ali Ahmetin ka qenë e papranueshme”, tha Bekim Qoku nga VLEN.
Nga VMRO DPMNE thonë se për BDI-në nuk ka vend në Qeveri, ndërsa nënkryetari i kësaj partie Aleksandar Nikollovski në një intervistë për 360shkallë, tha se do të ishte i befasuar nëse do ta shihte Taravarin duke bashkëpunuar me BDI-në.
“Mendoj që nuk është politikisht aq naiv që ta bëjë atë punë. Do të isha i befasuar të shoh një skenar të tillë edhe pse nuk e përjashtojë”, u shpreh Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
Vendimi i Taravarit për të shkuar në zgjedhje lokale me lista të veçanta të këshilltarëve, prishi marrëdhëniet me 3 partnerët tjerë të VLEN-it. Tani për tani ai ka deklaruar se në zgjedhje lokale do të kërkojë bashkëpunim me të gjitha partitë, përveç Levicës.