Eksperti i ekonomisë Adem Qorrolli ka thënë se fushata “Asnjë cent më shumë” është e vonuar, pasi energjia elektrike deri më tash është shtrenjtuar për 115%. Ai ka theksuar se më mirë do të ishte sikur fushata të quhej “Asnjë euro më shumë”, sepse tashmë rritja është për disa euro më shumë që nga viti 2021.
Qorrolli pohoi tutje se kryeministri në detyrë dje ka thënë se duhet të përgatitemi për pagë minimale 500 euro, dhe kjo do të thotë se do të kemi rritje të tatimeve dhe çmimeve të tjera.
“Ne do të kënaqemi sikur rritja e tarifave të mbetet vetëm 15%. Më herët, që askush nuk po e përmend, është rritur edhe tarifa fikse nga 1.7 në 2 euro për secilin konsumator – dhe kjo i sjell KEDS-it mbi 1.5 milionë euro pa bërë asgjë. Pra, çmimi është ngritur, ndërsa ne kemi heshtur”, ka shtuar Qorrolli.
Ai e ka lidhur rritjen e çmimeve me zgjedhjet e fundit, duke thënë se qytetarët për këto rritje të çmimeve është dashur të reagojnë në ditën e zgjedhjeve.
“Protesta është e kotë. Le të shijojnë çka kanë zgjedhur dhe çka kanë votuar”, ka përfunduar Qorrolli me ironi.