string(93) "rafuna-me-rritjen-e-tarifave-te-energjise-qytetaret-do-te-paguajne-dy-here-cmimin-e-energjise"

Lajme

Gazeta Express

04/04/2025 20:40

Rafuna: Me rritjen e tarifave të energjisë qytetarët do të paguajnë dy herë çmimin e energjisë

Lajme

Gazeta Express

04/04/2025 20:40

Në emisionin EURO n’T7, krerët e organizatave të bizneseve kosovare kanë shprehur shqetësimet e tyre për propozimin për rritjen e tarifave nga ana e ZRRE-së, si dhe vendimin që bizneset me më shumë se 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim të kontraktojnë vetë energjinë elektrike.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se edhe pse ligji ishte aprovuar në vitin 2016 që bizneset të dalin në treg të hapur për t’u furnizuar me energji, dhe më pas ishte shtyrë disa herë, ai u aktualizua menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Lexo Edhe:

“Vendimi nga ZRRE për të dalë në treg të hapur erdhi menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe afati i bizneseve për të dalë në treg të hapur ishte 1 qershori, që realisht është një afat shumë i shkurtër, tre mujor, për t’u implementuar. Bizneset nuk janë kundër daljes në tregun e hapur, mirëpo kërkesat e tyre janë që t’u jepet kohë për t’u përgatitur edhe me resurse njerëzore. Në bazë të analizave të bëra nga Oda Ekonomike, blerja e energjisë në bursa nga vetë bizneset sot është nga 50 deri në 100% më e shtrenjtë sesa energjia që kanë marrë deri më tani nga KEDS-i. Çmimi i energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt në shpenzimet operative të bizneseve dhe direkt produktin e bën më të shtrenjtë, dhe ai çmim i bartet direkt konsumatorit, qytetarit të Kosovës. Në këtë rast, qytetarit po i rritet dy herë çmimi i energjisë elektrike: e para nëpërmjet ekonomisë familjare me 15% dhe e dyta nëpërmjet shtrenjtimit të produktit dhe rrjedhimisht uljes së standardit jetësor,” ka thënë Rafuna.

Sipas Rafunës, kriteret e vendosura me ligj që secili biznes që ka mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim duhet të ndryshohen.

“Në bazë të informatave që kemi marrë, ka shumë biznese, start-up-e, që kanë mbi 50 punëtorë por nuk kanë qarkullim mbi 10 milionë euro dhe do të detyrohen të mbyllen, sepse nuk kanë kapacitet financiar apo njerëzor që të merren çdo ditë me blerjen e energjisë elektrike në bursa. Prandaj, duhet t’u jepet një afat shtesë prej një viti që bizneset të përgatiten për dalje në treg të hapur,” ka shtuar Rafuna.

Sipas listës së siguruar nga ATK-ja, 1,249 biznese kosovare duhet të dalin në tregun e hapur të blerjes së energjisë.