string(65) "rama-ambicia-jone-paga-mesatare-e-mesuesve-te-shkoje-ne-1250-euro"

Rama: Ambicia jonë, paga mesatare e mësuesve të shkojë në 1250 euro

Shqiperi

Gazeta Express

25/04/2025 17:42

Kryeministri, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot nga Shkodra, se ambicia e qeverisë shqiptare, bazuar dhe në mundësitë që jep rritja e qëndrueshme ekonomike është që paga e mësuesve në Shqipëri nga 950 euro që është sot të shkojë në 1250 euro.

Kryeministri Rama e bëri këtë deklaratë gjatë prezantimit të projektit për rilindjen e plotë të shkollës “Ismail Qemali” në Shkodër, duke u shprehur se përtej të gjitha mureve që rindërtohen, hapësirave që krijohen apo pajisjet e fjalës së fundit që merren, shkolla fillon nga mësuesit dhe mësueset, ndaj mirëqenia e tyre është domosdoshmëri për të pasur një shkollë të suksesshme.

Lexo Edhe:

“I siguroj që pavarësisht faktit se kemi rritur në mënyrë të ndjeshme vëmendjen ndaj mësuesve, kemi garantuar paprekshmërinë e tyre në aspektin e sigurisë së vendit të punës, që nuk ka qenë e garantuar më parë, kemi siguruar që hyrja në radhët e mësuesve të bëhet në mënyrë meritokratike nëpërmjet një platforme transparente, dhe pavarësisht se kemi rritur në mënyrë të ndjeshme pagat e mësuesve, paga mesatare sot është 950 euro, jam i vetëdijshëm që duhet më shumë dhe ambicia jonë është që paga e mësuesve në Republikën e Shqipërisë në mesataren e vet të shkojë në 1250 euro”, tha Rama, ndërsa theksoi se kjo ambicie është “plotësisht e arritshme bazuar në të gjitha të dhënat dhe mundësitë që jep rritja e qëndrueshme ekonomike”.

Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri u ndal tek afati 18-mujor për përfundimin e ndërtimit të shkollës “Ismail Qemali”, duke theksuar se “është duruar që nga viti 1913, kështu që do duroni edhe 18 muaj të tjerë për të pasur të prekshëm në realitetin e jetës suaj të përditshme këtë projekt, që është shumë i bukur”.