Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se Automotoparku i Elbasanit do të shërbejë si një qendër europiane për rritjen e sigurisë rrugore sipas modeleve më të mira që ka sot Europa.
Gjatë prezantimit të projektit për transformimin e Parkut Metalurgjik në Elbasan, kryeministri Rama u ndal te një tjetër projekt me impakt në zhvillimin e qytetit.
Rama solli në vëmendje edhe projektin për ndërtimin e Automotoparkut duke theksuar se këtu ka potencial për t’u hapur me kryeqytetin dhe për t’i dhënë energji dhe frymëmarrje të re Elbasanit.
“Automotoparku, sjell cirkuitin e Formula 1 që do ta ketë si qershi mbi tortë, por nuk është një investim thjesht dhe vetëm për Formula 1 që është 3 ditë në vit”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, Automotoparku do të jetë një destinacion i përditshëm jo vetëm për shumë lloje garash, por mbi të gjitha për sigurinë rrugore.
“Do të shërbejë si qendër europiane për rritjen e sigurisë rrugore sipas modeleve më të mira që ka sot Europa dhe falë edhe partneritetit të ndërtuar me qendrën e sigurisë rrugore në Austri:, tha Rama.