Veç mitingjeve elektorale, kryesocialisti i akuzuar se në këto zgjedhje ka hyre pa program, po organizon dhe tryeza te veçanta për çdo sektor ku flitet me shifra si u gjeten, si janë pas 12 vjetesh dhe cila është persepektiva e socialistëve deri në 2030.
Energjitika ishte tryeza e radhës ku Ministrja Balluku kishte ftuar dhe shumë aktorë privat të sektorit veç enteve publike. Edhe kryeministri flet me të njëjtin optimizëm si zv e tij për të ardhmen jo vetëm të sektorit energjitik, por të gjithë industrisë prodhuese.
“Brenda kësaj dekade do te jetë energjetikisht, totalisht e pavarur nga çdo zhvillim i ardhshëm, por do ta vendosë vetë fatin e vet në raport me energjinë dhe do kalojë në eksport neto, që do të thotë se, nga ana tjetër, nuk është vetëm prodhimi, por është dhe transmetimi që ka njohur një progres të rëndësishëm. Ashtu sikundër edhe shtrirja e gjithë rrjetit të transmetimit të Shqipërisë në të gjitha drejtimet e mundshme, ku qershia mbi tortë është marrëveshja me Italinë për linjën e interkonjeksionit, me anën tjetër të Europës falë bashkëpunimit tre palësh me qeverinë italiane dhe me qeverinë e Emirateve të Bashkuara jemi në kushtet kur mund të mendojmë seriozisht për rritjen e kapaciteteve industriale të vendit, qoftë në sektorin e energjisë, qoftë në sektorin e bujqësisë, qoftë deri edhe në sektorin e mbrojtjes”, thotë Rama.
Edhe pse optimizmi nuk ka shumë vend në kërkimet në Shpirag, kryeministri thotë se puna po vazhdon ndërsa vlerëson një tjetër partneritet.
“Sasia e zbuluar është shumë e madhe, cilësia shumë e lartë, por vështirësia e nxjerrjes, shumë sfiduese. Ama fakti që ende SHELL nuk po e dorëzon dhe po përpiqet në traditën më të mirë holandeze, që të bëjë pazar për atë pjesë, flet qartë që aty ka një vlerë të madhe, por do të duhet t’i referohemi një teknologjie më të sofistikuar dhe mbase do të jetë fati i atyre që do të vijnë më vonë moshën e shfrytëzimit të pasurive të Shqipërisë, mbase do vijnë më shpejtë, por gjithsesi këtu kemi edhe aktorë të tjerë që janë në faza eksplorimi të avancuara siç është vetë ENI”, shprehet Rama.