Kryeministri Edi Rama ka vijuar ironitë ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Elbasan. Ai u ndal te fushata zgjedhore në qark dhe te zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, ku nuk munguan batutat ndaj Berishës.
Duke iu referuar një deklarate të kryedemokratit, i cili kishte sjellë një buf në konferencën e tij për shtyp si simbol të zgjuarsisë, Rama e komentoi me ironi:
“Si tha sot? ‘Jam buf’. Fillimi është i mirë që e pranoi. Bufi është i mirë në habitatin e vet, por jo ky buf me dy këmbë që e bëri Shqipërinë kënetë”, tha kryeministri mes të qeshurash.
Më tej, kreu i qeverisë preku dhe vendimin e Berishës për të përjashtuar Dash Sulën nga lista e kandidatëve për deputetë, duke e cilësuar si një “dhuratë” për socialistët në Elbasan.
“Nëse do më pyesnin kë të hiqnin nga kandidatët e PD-së në këtë qark, do të kisha zgjedhur Dash Sulën. Është i fortë dhe i lodhshëm në debat. Por ja që Bufi filloi t’i ‘hante’ të vetët dhe ky gjeli i Peqinit i iku nga sqepi sapo po e gëlltiste”, tha Rama duke ironizuar situatën brenda opozitës.