Kryeministri Edi Rama ka dërguar një mesazh kandidatëve të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve, duke i udhëzuar ata që të respektojnë vijat e kuqe të fushatës. Në mesazhin e tij, Rama ka theksuar se deputetët nuk duhet të hapin zyra jashtë zonës që u është caktuar nga drejtuesit politikë dhe se fushata duhet të përqendrohet vetëm në numrin 5 në listën e hapur të votimit.
Rama ka theksuar: “Asnjë deputet s’duhet të hapë zyra të vetat jashtë zonës së caktuar nga drejtuesi politik. Çdo deputet është i lirë të bëjë takime ku të dojë, por ama në asnjë mënyrë nuk duhet të përdorë për takimet e tij strukturën dhe as të bëjë takime me strukturën jashtë zonës së përcaktuar nga drejtuesi politik.”
Ai ka kërkuar gjithashtu që ata që janë në listën e mbyllur të mos orientojnë votën preferenciale për kolegët e tyre. “Deputetët në listë të mbyllur nuk duhet kategorikisht të kërkojnë vota për asnjë deputet në listën e hapur, por vetëm për numrin 5, dhe të gjithëve duhet t’u thonë: ‘Tek vota preferenciale jeni të lirë!’” theksoi Rama.
Sipas tij, kjo është një mënyrë për të shmangur konflikte brenda ekipit dhe për të ruajtur barazinë e garës mes kandidatëve. “Deputetët në listën e hapur nuk është mirë t’u kërkojnë kolegëve në listën e mbyllur vota në zonën përkatëse, pasi e para i vënë në pozitë të vështirë; e dyta i shtyjnë drejt prishjes së barazisë së garës; dhe e treta i bëjnë të çorodisin strukturën!”