Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të biznesit në qytetin e Elbasanit, ku prezantoi planin e ri ekonomik të qeverisë, të quajtur “Paqja Fiskale”.
Në qendër të këtij plani qëndrojnë reformat dhe lehtësitë fiskale që synojnë të mbështesin biznesin e vogël dhe të nxisin formalizimin e ekonomisë. Sipas Kryeministrit, “ky është një hap drejt krijimit të një marrëdhënieje të re mes sipërmarrjes dhe shtetit – më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më të parashikueshme”.
Rama theksoi se taksa progresive, e vendosur nga qeveria e tij vite më parë, ka kursyer çdo vit 140 milionë euro për punonjësit me të ardhura mesatare dhe të ulëta. “Nëse do të kishim mbajtur taksën e sheshtë, 93% e punonjësve në shtet dhe privat do të paguanin më shumë. Kjo politikë ka lënë 1.4 miliardë euro në 10 vite në xhepat e qytetarëve”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Kryeministri garantoi që tatimfitimi për bizneset do të mbetet në nivelin 15%, pa ndryshime apo rritje. Megjithatë, Rama pranoi se administrata fiskale ka nevojë për përmirësim dhe se qeveria do të punojë për të mbushur boshllëqet ekzistuese pa ushtruar presion të tepruar ndaj biznesit.
“Ne nuk duam të rrisim të ardhurat për shtetin duke e dëmtuar sipërmarrjen, ndaj kemi zgjedhur një qasje që frymëzohet nga modelet e vjetra historike – një paqe fiskale për të kaluarën dhe një bashkëpunim më të mirë për të ardhmen”, u shpreh ai.
Në këtë proces, ministrja e Sipërmarrjes do të ketë rol kyç, duke garantuar që politika të jetë gjithnjë më shumë në funksion të interesave të biznesit dhe qytetarëve.
Gazeta Express dhe Televizioni T7 janë në kërkim të një agjenti dinamik dhe ambicioz të shitjes dhe marketingut për...