Në një takim elektoral në Roskovec, kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën, duke e vënë theksin te kontrata e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA dhe premtimet për zhvillim ekonomik.
“Luli thoshte 7×7=42, tani doli dhe bufi 7×7=6 milionë”, u shpreh Rama, duke ironizuar kontratën e firmosur nga PD me kompaninë amerikane “Continental”, të cilën ai e cilëson si “provë të pastër që Sali Berisha po përdor partinë për hallin e vet”.
Duke iu referuar krizave të mëparshme financiare, Rama shtoi: “Ne trashëguam më shumë se 700 milionë euro borxh dhe sot nuk kemi asnjë borxh ndaj asnjë kompanie. E kemi ulur borxhin publik. Nëse nuk do të na kishin besuar në 2013, sot do të kishim ende piramidat e Sudes dhe Xhaferrit.”Kryeministri përforcoi gjithashtu angazhimin e qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik, duke dhënë shifra konkrete për objektivat deri në vitin 2030: “Synimi ynë është që paga minimale të jetë 650 euro. Paga mesatare ishte 322 euro, sot është 848 euro. Për mësuesit, infermierët dhe mjekët, paga mesatare do të arrijë 1200 euro.”
Në fjalën e tij, Rama nuk kurseu ironinë edhe për sulmet e Berishës ndaj SPAK. “Bufi i kënetës është zotuar se më 12 maj do të bëjë dy gjëra: e para, do të shkrijë SPAK-un, dhe e dyta, do të shkrijë e-Albania-n dhe do të kthejë sportelet dhe radhët. Natyrisht, nuk do të bëjë as njërën, as tjetrën.”Rama vlerësoi edhe punën e kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, duke e quajtur me batutë “shtriga që i është dashur këtij qyteti”. “Po të shohësh ndryshimet që janë bërë në qytet, vetëm një shtrigë mund t’i bënte,” tha ai me humor.
Nga i njëjti aktivitet, kandidatja socialiste Zegjine Çaushi sulmoi ashpër Gazment Bardhin, duke përdorur ironi dhe akuza personale. “Gazo, ku je? Të gjithë e dinë që je një tip spiuni. Vetëm unë ta qaj hallin, askush s’të hap derën. Je balerinë që vetëm tundesh”, u shpreh ajo ndër të tjera