Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kryetari Përparim Rama ka vizituar sot qendrën për trajtimin e qenve endacakë dhe tha se po vazhdojnë angazhimin për menaxhimin e çështjes së tyre.
“Ai vuri në dukje se janë të vetëdijshëm që kjo është një detyrë e vështirë, veçanërisht kur përballen me mungesë të plotë të mbështetjes nga qeveria – 0 ndihmë, 0 buxhet – pavarësisht se vetë ata kanë aprovuar një fond prej 9.8 milionë eurosh, nga i cili deri më sot nuk është shpenzuar asnjë cent. Për më tepër, kërkesat e Kryeqytetit për bashkëpunim për rritjen e sigurise së qytetarëve nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria.”
Më tutje thuhet se janë ngritur 23 pika ushqyese, “një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me vetëm 5 sa ishin në vitin 2021”.
“Janë trajtuar 4,000 qen endacakë, në krahasim me qeverisjen e kaluar ku për 8 vjet janë trajtuar vetëm 500 qen endacakë.”
Po ashtu sot sipas komunës është adoptuesi i njëmijtë.
“Sistemi i ri për menaxhimin e qenve endacakë përfshin kapjen, trajtimin, sterilizimin, strehimin dhe adoptimin, duke siguruar një qasje humane. Sot kemi adoptuesin e 1,000-të, një moment i rëndësishëm në përpjekjet tona për të siguruar familje dhe përkujdesje të qëndrueshme dhe afatgjatë për qentë endacakë.”
“Falënderojmë të gjithë ata që kanë adoptuar qentë dhe po u ofrojnë një shtëpi të ngrohtë. Në fund, i ftojmë të gjithë qytetarët dhe përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e kafshëve të vizitojnë këtë qendër, të njihen me punën e stafit dhe të marrin pjesë në përpjekjet për një sistem më të qëndrueshëm dhe të sigurt për menaxhimin e qenve endacakë.”