Ikona e Real Madridit, Sergio Ramos, pritet të bëjë një lëvizje tjetër së shpejti, pasi kaloi këtë vit kalendarik te skuadra meksikane Rayados de Monterrey.
Megjithatë, ai ende nuk po mendon për t’u tërhequr nga futbolli.
Pas periudhës së tij te Paris Saint-Germain, Ramos kaloi një vit te klubi i qytetit të tij, Sevilla, përpara se të qëndronte shtatë muaj jashtë futbollit si lojtar i lirë.
Në shkurt ai nënshkroi me Rayados, por tani duket se do të largohet përsëri.
Mbrojtësi karizmatik ka bërë 30 paraqitje për Monterrey dhe ka shënuar shtatë gola gjatë këtij viti, por sipas “El Chiringuito”, ai ka vendosur të largohet në fund të kontratës, e cila skadon në fund të dhjetorit. Megjithatë, Ramos dëshiron të vazhdojë të luajë.
Mbrojtësi 39-vjeçar e pëlqen shumë tifozërinë në Meksikë, vendin dhe qytetin Monterrey.
Por “Diario AS” shpjegon se dy arsye kryesore fshihen pas vendimit të tij për t’u larguar nga Meksika.
Së pari, ai po e merr këtë vendim për të përmirësuar jetën e tij familjare. Arsyeja e dytë, dhe ndoshta më befasuese, është ambicia për të luajtur në Kupën e Botës me Spanjën.
Luis de la Fuente nuk e ka thirrur Ramosin që kur mori drejtimin e La Roja, ndërsa paraqitja e tij e fundit me kombëtaren daton në vitin 2021 nën drejtimin e Luis Enrique.
Ramos ka humbur tre turnetë e fundit me Spanjën, por kërkon të rikthehet në Evropë për të bindur De la Fuenten.
Nëse ai do të rikthehej te kombëtarja spanjolle, do të udhëtonte sërish drejt Meksikës, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për Kupën e Botës në moshën 40-vjeçare.
Megjithatë duket shumë e vështirë që de la Fuente ta thërrasë, me Dean Huijsen, Pau Cubarsí, Dani Vivian, Aymeric Laporte dhe Robin Le Normand që luftojnë për katër vendet në qendër të mbrojtjes./GazetaExpress/