string(94) "raportohet-se-petkoviq-i-ka-derguar-nje-leter-sorensenit-dhe-misioneve-nderkombetare-ne-kosove"

Raportohet se Petkoviq i ka dërguar një letër Sorensenit dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

24/04/2025 13:00

Petar Petkoviq, i ashtuquajturi drejtori i Zyrës për Kosovë të Qeverisë së Serbisë, raportohet se ka dërguar një letër të hapur ndaj të gjitha misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, si dhe ndërmjetësit në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen. Thuhet se në këtë letër ai i ka njoftuar për mbylljen e disa institucioneve serbe në Leposaviq dhe Shtërpcë nga autoritetet e Prishtinës. Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni i Vojvodinës, raporton Vesti.

Në letrën e tij, Petkoviq kërkon veprim urgjent për të ndalur, siç e quan ai, “spiralën e dhunës” ndaj serbëve dhe komuniteteve tjera joshqiptare në Kosovë, si dhe për të kërkuar nga Prishtina të ndërmarrë hapa për de-përshkallëzimin e situatës në terren.

Lexo Edhe:

Petkoviq pretendon se mbyllja e institucioneve është pjesë e një “modeli të qëndrueshëm të sabotimit të procesit të normalizimit” që, sipas tij, përdoret nga Prishtina sa herë që nuk arrin ta bllokojë dialogun përmes pjesëmarrjes së saj formale. Ai e konsideron këtë si një akt të qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen nga ajo që e quan krizë e thellë politike në Kosovë, ku, sipas tij, autoritetet nuk kanë arritur të formojnë qeveri pothuajse tre muaj pas zgjedhjeve.

Në një ton të theksuar propagandistik, Petkoviq flet për një “politikë të përndjekjes etnike” ndaj serbëve, duke përmendur mbylljen e institucioneve ilegale serbe që kanë funksionuar në Kosovë.

Kjo letër vjen në një kohë të tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe paraqet një përpjekje tjetër nga ana e Beogradit për të mobilizuar opinionin ndërkombëtar përmes narrativave të dhunës dhe përndjekjes ndaj serbëve në Kosovë – një strategji e njohur tashmë në retorikën zyrtare serbe.