Kryeministri Albin Kurti ka qenë i qartë sot për në rastin e vrasjes së Faton Hajrizit. Ai tha se shenjat e gishtërinjve që janë dërguar nga Serbia, sipas Forenzikës janë përputhur me ato të Hajrizit. E kryeministri nga mbledhja e Qeverisë kërkoi nga qytetarët të mos bien pre e euforisë që Hajrizin ta shpallin hero. Për Kurtin hero është Afrim Bunjaku dhe 28 zyrtarë tjerë policor të rënë në detyrë. Ndërkaq, për po të njëjtin rasti ai tha se dje se s’ka kohë të merret. Kjo pasi sipas tij janë dy dikastere qeveritare që po e trajtojnë këtë çështje.
Gazeta Express.
Mbledhjen e Qeverisë e nisi sot duke u marrë me rastrin e Faton Hajrizit. Kryeministri Albin Kurti rikonfimoi se shenjat e gishtërinjve që janë dërguar nga Serbia, që sipas tyre janë të personit që e vrau policin Nikolla Krsmanovic, janë përputhur me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit.
“Ditëve të fundit kemi dëgjuar shumë lajme në lidhje me rastin e shtetasit Faton Hajrizi. Institucionet tona janë përpjekur maksimalisht që në vazhdimësi të transmetojnë informacione zyrtare. Së fundmi, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës jemi informuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22 korrik 2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi” tha Kurti.
“ Të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF), ku pas krahasimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur më vëmendje çdo hollësi. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Jashtme janë angazhuar dhe kanë informuar”, shtoi ai.
Ai kërkoi hetim ndërkombëtar dhe vendor për të sqaruar rrethanat e ikjes së tij nga burgu i Smrekonicës dhe ikja në drejtim të Serbisë.
Teksa qytetarëve u bëri thirrje të mos bien pre e “euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit”.
Kurti tha se patriot është rreshteri i vrarë në sulmin e Banjskës Afrim Bunjaku, dhe 28 zyrtarë tjerë policor të rënë në detyrë.
“Sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë e deri të vrasja e tij e raportuar kërkon një hetim vendor dhe ndërkombëtar. Ndërkohë, i ftoj qytetarët e vendit tonë të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës, është rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në Banjskë të Zveçanit. Patriotë janë 23 pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës, që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë” pohoi Kurti.
“E pikërisht këtë javë, 26 korrikun, për të tretin vit radhazi, e shënojmë si Ditë Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës. Datë kjo e cila përkon me rënien e një patrioti tjetër të ditëve tona, Heroit Enver Zymeri që u vra në krye të detyrës në Zubç të Zubin Potokut më 2011. Andaj edhe sot, si çdo ditë e çdo mot, e ripërsëris thirrjen tek organet përgjegjëse për zbardhjen e të gjitha këtyre rasteve dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë”, tha kryeministri.
Për çështjen e Hajrizit, ndryshe nga sot Kurti dje s’deshi të flasë.
Ai tha se me të janë duke u marrë dy dikastere qeveritare.
“Dy ministri tona, të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë e trajtojnë këtë rast. Nuk kam nevojë ta bëjë edhe punën e ministrit, besoni kam shumë punë si kryeministër”, ka thënë Kurti gjatë një paraqitje para mediave në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Para dy ditësh, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha të hënën se Serbia ka dërguar shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë më Serbi, si i dyshuar për vrasjen e policit në kufi.
Sipas njoftimit të MPJD-së, ato shenja “janë krahasuar me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit dhe të njëjtat janë përputhur”.
Faton Hajrizi u arratis para gati tri javësh nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Kjo ishte arratisja e tij e nëntë nga burgjet e vendit.
Të enjten, ai dyshohet se vrau një polic serb dhe plagosi kolegun e tij.
Sipas raportimeve të mediave serbe, ngjarja ndodhi pas mesnate në Loznicë të Serbisë, që gjendet në kufi me Bosnjën, kur policët ndaluan një taksi me targa të qytetit të Tutinit që u dukej e dyshimtë, ku ndodheshin dy burra, shoferi dhe pasagjeri.
Policia identifikoi pasagjerët të cilët u ishin dukur të dyshimtë dhe pastaj njëri prej policëve i kishte kërkuar njërit prej personave në veturë që t’ia tregojë çantën, sipas raportimeve. I njëjti raportohet se ka refuzuar ta bëjë këtë dhe se ka qëlluar në drejtim të policëve, duke e lënë njërin të vrarë e tjetrin të plagosur.
Në raportimet e mediave serbe thuhej se ai ishte strehuar tek një fabrikë e braktisur. Për të shkuar atje, atij i janë dashur 2 orë e 44 minuta.
Fillimisht në kërkim u shpall vëllai i tij, Artani, meqë dokumentet që u gjetën në vendngjarje i përkisnin atij. Më pas, ai deklaroi se dokumentet i janë vjedhur nga Fatoni.
Hajrizi u shpall zyrtarisht në kërkim nga Serbia si i dyshuar për vrasjen, të premten, kur edhe autoritetet serbe deklaruan se i njëjti është vrarë, pas rreth gati 40 orësh kërkime.
Dyshime nëse Hajrizi është vrarë njëmend, ka ngritur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar hetim të gjerë e të thellë për këtë rast.
“Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dimë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë…”, ka deklaruar Haxhiu, ditën kur autoritet serbe deklaruan se Hajrizi është vrarë.
Në të njëjtin deklarim, Haxhiu ndërlidhi Serbinë me arratisjet nga burgjet e Kosovës, ku tha se “janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.
“Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Për këtë deklaratë, Haxhiu është ftuar për intervistim dje nga Prokuroria Speciale. Intervistimi i saj ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.
Pozicionimi i Haxhiut për këtë rast, është cilësuar si gabim nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar se s’mund të lidhet Faton Hajrizi me Serbinë.
“Vështirë me bë një lidhje mes Faton Hajrizit e Serbisë, përkundër faktit se ai veç fizikisht është ndodhur atje. Vështirë me bë ndonjë lidhje. Ai nuk ka pasë ndonjë afinitet ose afërsi në çfarëdo mënyre me shërbimin… Ai shquhet si palë e kundërt e Serbisë dhe kjo u vërtetu edhe në ballafaqimin e tij me policët. Pra, ai nuk pranoi as me u dorëzu në Serbi”, tha ai.
Ish-kryeministri tha se nevojitet një “hetim ndërkombëtar”, ndërsa në deklaratat e ministres së Drejtësisë, tha se “është tendenca me kamuflu diçka”.
“Kurti ka ba gabim që e ka bë këtë ministre të Drejtësisë dhe Sveçlën ministër të rendit. Këta kanë qenë antipod i këtyre temave. Kjo ka mujtë me dalë ndoshta ministre e mirë e Rinisë, Kulturës, diçka ngjashëm, aktiviste, militante. Por ta sjellësh njeriun që çdoherë gjatë jetës së vetë ka qenë e anshme në konceptet e veta, për ligjin, për drejtësinë, ka qenë palë, ta sjellësh ministre është pak teprim”, tha Haradinaj.