Real Madrid është gati të shkaktojë një tjetër goditje për Liverpool, duke tentuar të marrë një nga objektivat e tyre të merkatos, pas raportimeve se kanë ‘siguruar’ firmën e Trent Alexander-Arnold.
Sipas talkSPORT, Alexander-Arnold ka rënë dakord të bashkohet me Real Madrid këtë verë, duke i dhënë fund lidhjes së tij me Liverpool, e cila kishte nisur që në moshën gjashtë vjeçare.
Mbrojtësi i djathtë është jashtë kontrate në fund të sezonit dhe mund të largohet si lojtar i lirë, një situatë që nuk është pritur mirë nga tifozët e Reds, pasi ai ishte vlerësuar mbi 100 milionë euro nga drejtuesit e klubit.
Real Madrid hyn në garë për Dean Huijsen
Me Alexander-Arnold që duket se po largohet, Liverpool është në kërkim të një zëvendësuesi dhe gjithashtu synon përforcime në qendër të mbrojtjes. Një nga emrat në radar është Dean Huijsen, talenti 19-vjeçar i Bournemouth, i cili ka impresionuar në sezonin e tij të parë në Premier League.
Por, sipas gazetës spanjolle AS, Real Madrid ka hyrë në garë për Huijsen, duke tentuar ta rrëmbejë përpara se Liverpool, Chelsea apo Manchester United të mbyllin marrëveshjen.
Interesant është fakti që babai i Huijsen, Don, ka ndarë lajmin në Instagram, duke lënë të kuptohet se ka diçka të vërtetë në raportimet për një transferim të mundshëm te Los Blancos.
Duke folur gjatë angazhimit me kombëtaren e Spanjës, Huijsen tregoi se nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen:
“Nuk po mendoj për këtë tani. Dua ta mbyll sezonin mirë dhe pastaj do të shohim. Sigurisht, është diçka që më bën krenar fakti që një klub kaq i madh është i interesuar për mua. Do të vazhdoj të punoj dhe të qëndroj me këmbë në tokë.”
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Real Madrid do të bëjë një tjetër ‘grabitje’ në merkato, duke ia rrëmbyer Huijsen Liverpool-it, pas Alexander-Arnold. /GazetaExpress/