Real Madridi ka siguruar një fitore të vështirë, por të rëndësishme, duke mposhtur Leganesin me rezultatin 3-2 në një ndeshje dramatike në “Santiago Bernabeu”. Me këtë triumf, “Los Blancos” barazohen me Barcelonën në krye të renditjes me nga 63 pikë, ndonëse katalanasit kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Takimi nisi me dominimin e Realit, i cili gjeti golin e parë në minutën e 32-të, kur Kylian Mbappé realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Por gëzimi i vendasve zgjati vetëm një minutë, pasi Garcia barazoi shifrat menjëherë në aksionin pasues për Leganesin.
Për më tepër, në minutën e 41-të, Raba shënoi për 1-2, duke tronditur madrilenët dhe duke i çuar skuadrat në pushim me avantazhin e mysafirëve.
Në pjesën e dytë, Real Madridi reagoi menjëherë. Jude Bellingham riktheu baraspeshën në minutën e 47-të, duke i dhënë ekipit të Ancelottit energjinë e duhur për të kërkuar fitoren.
Presioni i madrilenëve u shpërblye në minutën e 76-të, kur sërish Mbappé, me një finalizim të shkëlqyer, i dha avantazhin ekipit të tij dhe vulosi rezultatin përfundimtar 3-2.
Kjo fitore e rëndësishme e mban Realin në garë të ngushtë për titull, ndërsa Leganesi mbetet në zonën e rrezikut me vetëm 27 pikë, duke u renditur në vendin e 18-të dhe duke luftuar për mbijetesë në La Liga.